Sistemi ekonomik dhe legjislacioni

Shqipëria vitet e fundit ka kryer një sërë reformash ekonomike. Transformimi i ekonomisë vendase nga shumë e centralizuar në një variant të tregut të lirë, si dhe hapja e tregjeve dhe burimeve shqiptare ndaj atyre botërore e veçanërisht atyre europiane, ndryshoi shumë strukturën e biznesit si në nivel kombëtar ashtu edhe atë lokal. Në këtë kuadër, legjislacioni shqiptar është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të qeverisë amerikane. Ai pasqyron dhe respekton parimet themelore të demokracive perëndimore dhe të ekonomisë së tregut.

Ekonomia shqiptare përballet gjithnjë me sfidat e rritjes ekonomike. Sektori financiar në Shqipëri është rritur shpejt dhe kreditimi është bërë për gjithësisht sipas kushteve të tregut. Sistemi bankar është karakterizuar nga prania e bankave të huaja. Ky konstatim ka çuar në konkurencë më të madhe dhe disponueshmëri më të mirë të shërbimeve bankare. Banka Qendrore e Shqipërisë ka rritur likuiditetin, si një mënyrë për t’iu përgjigjur krizës globale financiare.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në janar të këtij viti, vlera e mallrave të importuara është rreth 626 mld lekë, ndërsa vlera e eksporteve është rreth 273 mld lekë. Shqipëria ndër vite ka bërë hapa të mëdha në përmirësimin e mjedisit të biznesit në fushat kryesore rregullatore të saj. Sipas raportit vjetor të Grupit të Bankës Botërore, renditet në vendin e 58-të.

Shqipëria ka një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe është pjesë e procesit të integrimit Evropian me statusin e kandidatit për anëtarësim. Përmirësimet në mjedisin rregullator të biznesit reflektojnë kryerjen e reformave të ndryshme. Gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria ka bërë përmirësime themelore në kuadrin rregullator lokal në tri fusha kryesore: është bërë më e lehtë marrja e lejeve të ndërtimit pas heqjes së moratoriumit, i cili ndalonte dhënien e tyre; sigurimi i energjisë elektrike është bërë më i lehtë duke përshpejtuar procesin për marrjen e një lidhjeje të re në rrjet; gjithashtu, pagesa e taksave është bërë më e lehtë përmes një sistemi online për deklarimin dhe pagesën e taksave.

Shqipëria është pjesë e marrëdhënieve tregtare të lira me:

• EU
• (CEFTA) Evropa Qëndrore
• (EFTA) Evropa
• Turqi
• USA (GSP Generalized System of Preferences)

Anëtare e WTO (rregullore dhe norma të WTO për import eksporte).
Si rezultat i këtyre reformave, ka pasur ndryshime të mëdha në strukturën ekonomike të Bashkisë Shkodër. Sot ajo vazhdon të jetë një nga kryeqendrat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Aktualisht sektorët kryesorë të ekonomisë janë: tregtia, shërbimet, industria e prodhimit, përpunimit dhe ndërtimit.