Leja e qëndrimit dhe ajo e punës

Vizat

Për sa i përket qëndrimit në Shqipëri, të huajt ndahen në dy kategori: ata të cilët duhet të sigurojnë një vizë kur kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë dhe ata që janë të përjashtuar nga kjo kërkesë. Të huajve, që dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri për një kohë të gjatë (në çdo rast më shumë se tre muaj brenda çdo periudhe gjashtëmujore), do t’u lëshohet një leje qëndrimi. Të huajt mund të punojnë në Shqipëri, vetëm pas marrjes së lejes së punës, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj. Të huajt, të cilët udhëtojnë nga vende në të cilat ardhja në Shqipëri shoqërohet me marrjen e një vize, duhet që paraprakisht të pajisen me vizë nga ambasada apo konsullata shqiptare, përpara se të hyjnë në vend.

Leja e qëndrimit

Lejet e qëndrimit dhe ato të punës merren në përputhje me kërkesat ligjore të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar. Leja e qëndrimit, është dokumenti i lëshuar nga autoritetet kompetente, i cili autorizon dhe lejon të huajin të qëndrojë në Republikën e Shqipërisë më shumë se 90 ditë brenda 180 ditëve. Kjo leje nëse nuk është përcaktuar ndryshe në ligj apo Vendim të Këshillit të Ministrave, ose me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, jepet me një afat: a) 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit, e cila mund të ripërtërihet jo më shumë se 5 herë radhazi; b) 2 vjet, e cila mund të ripërtërihet jo më shumë se një herë; c) 5 vjet, sipas përcaktimeve të këtij ligji; ç) e përhershme, në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Shqipëri dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend.

Leja e punës

Çdo i huaj mund të punësohet në Republikën e Shqipërisë duke u pajisur me leje pune, apo me certifikatë regjistrimi pune, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, me marrëveshje ndërkombëtare të njohura nga Republika e Shqipërisë apo qëndrim të njëanshëm të shprehur me Vendim të Këshillit të Ministrave. Kërkesa për leje pune për një të huaj mund të bëhet nga vetë i huaji, me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, ose nga punëdhënësi. Shqyrtimi i kërkesës dhe lëshimi i lejes së punës, kur plotësohen kriteret e kërkuara nga legjislacioni në fuqi, bëhet brenda 30 ditëve nga dita e aplikimit. Autoriteti i përcaktuar për lëshimin e këtyre lejeve është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit ose Drejtoria Rajonale e Punës.