Për Biznesin

Me zbatimin e reformës së ndarjes së re administrative territoriale të Shqipërisë, Bashkia Shkodër, në krahasim me organizimin e mëparshëm është rritur në hapësirë. Ky ndryshim ka sjellë një rol të ri për zhvillimin dhe menaxhimin territorial. Në këtë situatë të re bëhet e domosdoshme përpjekja për të përcaktuar drejtimet që duhen ndjekur në të ardhmen, duke u fokusuar dhe përdorur mirë burimet ekzistuese. Ndaj çështja kryesore është përkthimi i shumëllojshmërisë së avantazheve konkurruese në mundësi për investimet e huaja, të cilat do të ndikojnë zhvillimin social dhe ekonomik, duke bërë të mundur që çdo territor të kontribuojë në mirëqenien e Bashkisë.

I konceptuar si një dokument konciz, broshura “Të investosh në Shkodër” do të jetë një udhërrëfyes i vyer për tërheqjen e investitorëve të huaj. Ky dokument përfaqëson përpjekjet e administratës së Bashkisë për të bërë një koordinim horizontal të aktorëve lokal dhe koordinim vertikal midis niveleve të ndryshme qeverisëse për çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të reja të punës në ekonomitë në zhvillim, varen nga dy faktorë kryesorë: tërheqja e investitorëve të huaj dhe zhvillimi i NVM-ve. Klima e favorshme e biznesit është thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në këtë kuadër, politikat e zhvillimit të Bashkisë Shkodër do të jenë të fokusuara në zhvillimin e një ekonomie të gjallë për qytetin dhe zonat rurale sipas parimit të plotësueshmërisë ndërmjet qytetit dhe zonave rurale. Prandaj nismat tona do të nxisin skemat për vetëpunësim dhe për krijimin e sipërmarrjeve të vogla, kryesisht për grupet që kanë pak ose aspak përvojë në këtë fushë siç janë të papunët, gratë dhe të rinjtë. Do të përkrahim skema që forcojnë konkurrueshmërinë e firmave ekzistuese nëpërmjet rrjetëzimit, zhvillimit, përhapjes së teknologjive inovative si dhe mbështetjes në marketing. Do të vazhdojmë të përdorim elementet tradicional të zhvillimit ekonomik lokal, siç janë zonimi dhe zhvillimi i parqeve industriale. Gjithashtu do të përdorim instrumente të tilla, si: promovimi i sipërmarrjes, inkubatorët dhe promovimi i clusterave të biznesit. Bashkia do të luajë një rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisit miqësor për investime dhe cilësi më të mirë jetësore për qytetarët nëpërmjet rritjes së mundësive për punësim.