Sektorët me potencial zhvillimi

Zhvillimi rural

Bujqësia, blegtoria, apo pylltaria janë sektorët kyç për përdorimin e tokës dhe menaxhimin e resurseve natyrore në zonat rurale. Falë sipërfaqeve të mëdha të kultivueshme dhe kushteve të mira klimatike, ky sektor ofron mundësi të mëdha për tërheqjen e investimeve duke marrë parasysh produktet me cilësi të lartë. Rreth 43% e popullsisë në Bashkinë Shkodër jeton në zonat rurale që mbulojnë rreth 98% të sipërfaqes së territorit.

Zinxhiri i vlerave të frutave dhe perimeve

Këtu mund të gjenden varietete tipike si fiqtë, kumbulla, dardhat, qershitë; për sa i përket perimeve, bamje (Hibiscusesculentus), qepë të Drishtit, speca dhe patëllxhanë të Oblikës etj. Produktet e identifikuara janë: reçeli, varietetet e frutave të thata, perime të konservuara, turshi etj.

Zinxhiri i vlerave të mjaltit

Në nivel bashkie janë identifikuar shumë varietete mjalti (gështenjë, tërfil, shqopë, trumzë dhe sherebelë), së bashku me varietetet e mjaltit nga shumë lloje lulesh. Zonat me kapacitet më të lartë prodhues të mjaltit janë Bërdica, Dajçi, Postriba.

Sistemi i prodhimit pyjor

Në Bashkinë Shkodër mund të shfrytëzohen bimët medicinale si sherebela, trumza, dëllinja e kuqe etj dhe lisi, bohça pishe etj. Prodhimet e bimëve të kultivuara janë të pakta, krahasuar me potencialet rajonale të prodhimit të qëndrueshëm.

Zinxhiri i vlerave të peshkut

Peshkimi zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e popullsisë. Vetëm në liqenin e Shkodrës çdo vit zihen mbi 13,000 ton peshk. Në Shkodër ekzistojnë disa varietete endogjene të peshkut të ujërave të ëmbla të tilla si: Njala (Anguilla), Krapi (Cyprinuscarpia), Gjuhca (Alburnusalborela), Qefulli (MungilCephalus) dhe varietetet e ujrave të kripura, si të detit Adriatik.

Zinxhiri i vlerave të ullirit

Prodhimi i vajit të ullirit realizohet kryesisht për përdorim familjar. Zonat me kapacitet prodhues më të lartë (për rrënjë) janë: Postriba, Rrethina, Ana e Malit, Guri i Zi, Bërdica, Velipoja.

Zinxhiri i vlerave të verës dhe të pijeve alkoolike

Prodhimi është i vogël, në krahasim me mundësitë rajonale. Shumica e produkteve të zinxhirit të vlerave shiten me çmime të qëndrueshme për tregjet lokale. Të gjitha pijet janë të një cilësie të mirë, falë teknikave të përdorura të përpunimit. Rritja e prodhimit të rrushit dhe verës është një potencial i madh për zhvillim.

Zinxhiri i vlerave të qumështit

Qumështi i freskët i papërpunuar prodhohet nga lopët, delet dhe dhitë. Aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre përpunuese 21 baxho. Nga të dhënat rezulton se qumështi i lopës prodhohet në sasi më të mëdha, në krahasim me qumështin e deles dhe dhisë.

Turizmi

Shkodra ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit. E gjithë zona karakterizohet nga një shumëllojshmëri atraksionesh turistike, që nga bukuritë natyrore tek ndërtesat historike dhe identitetet kulturore. Pozita e favorshme gjeografike është pa dyshim një pasuri e rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Traditat njerëzore, kulturore dhe historike i shtojnë më shumë vlerën këtij potenciali. Llojet kryesore të turizmit janë turizmi malor, turizmi bregdetar, dhe lumor, turizmi liqenor, turizmi qytetar, i bazuar në monumentet fetare, shtëpitë tradicionale dhe monumentet historike në qytetin e Shkodrës. Turizmi si aktivitet ndërsektorial, është i lidhur me shumë aktivitete ekonomike dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm në sektorë të ndryshëm, duke ofruar shërbime të lidhura me të. Turizmi luan një rol të madh në zhvillim, pasi kontribuon në zhvillimin lokal, krijimin e vendeve të punës, zhvillimin e zonave rurale si dhe rigjenerimin urban. Falë resurseve natyrore, pozitës gjeografike, klimës, si dhe popullsisë mikpritëse, Shkodra ofron potenciale të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të turizmit.

Zonat ekonomike

Nxitja e investimeve në këto zona ka për qëllim rritjen ekonomike dhe rivitalizimin e zonës së vjetër industriale. Këto investime, duke u adaptuar me kërkesat e reja për zhvillim, nxisin rritjen ekonomike, përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e produkteve lokale. Zonat ekonomike të përcaktuara në strategjinë territoriale të Bashkisë Shkodër janë: • Zona e ish-fushës së aviacionit; • Zona industriale Shkodër • Aksi Ura e Bahçallëkut – Bërdicë • Aksi Shkodër – Koplik • Aksi Shkodër – Ana e Malit – Muriqan • Aksi Shkodër – Vau i Dejës • Aksi Shirokë- Zogaj • Zona pranë Bypass-it Perëndimor, • Zona e qendrës Shkodër • Zona Velipojë – Rrjoll Një nga masat e Bashkisë për të krijuar mundësinë e zhvillimit të këtyre zonave do të jetë edhe promovimi dhe tërheqja e investitorëve vendas dhe të huaj. Bazuar në Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Shkodra është pjesë e Rajonit Ndërkufitar Podgoricë – Shkodër, si dhe e rajonit ekonomik Shkodër – Lezhë. Këto akse lidhëse mes tre qyteteve krijojnë një potencial për zhvillimin ekonomik të rajonit.