Bibliotekat

Biblioteka Publike e qytetit tonë u themelua në vitin 1931 në një lokal të thjeshtë në qendër të qytetit, që nga shkodranët thërritej “Milet Bahçe”. Fondi fillestar i librave të kësaj biblioteke u financua nga vetë Bashkia e Shkodrës. Librat e parë të bibliotekës mbajnë vulën e Bashkisë së atëhershme. Krijimi i kësaj biblioteke ishte fryt i një tradite të vyer të qytetit tonë, traditë e filluar që në mesjetë, e vijuar më pas me bibliotekën Bogdani, dhe atë të Myftiut të Tabakëve. Biblioteka të rëndësishme të Shkodrës kanë qenë edhe ato të institucioneve fetare, siç ishte biblioteka e Medrezes së Naltë pranë Kalasë, bibliotekat e çmuara të etërve Jezuitë (1858) dhe Françeskanë (1875). Në vitin 1968 u vendos në godinën që është sot dhe u emërtua Marin BARLETI. Biblioteka ruan në fondet e saj libra të shekullit XV-XVI të shtypur në qendra të mëdha të Europës si: Gjermani, Zvicra, Paris, Itali etj., të cilët dallohen nga teknika e shtypjes dhe bukuria paraqitje. Ambientet e bibliotekës përdoren edhe për veprimtari kulturore, promovime librash, hapje ekspozitash etj. Numri i vizitorëve në bibliotekë gjatë vitit është rreth 9000. Numri i lexuesve është afërsisht 3500.
Biblioteka “Marin Barleti” ka lidhje edhe me biblioteka të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ajo është e përfshirë në disa projekte gjatë viteve të fundit, si: Interreg IIIA, “Hadriati-cum”, ACCES IT+, COOBIS Al etj., duke synuar të përfshihet edhe në projekte të tjera. Aktualisht biblioteka funksionon me skedarë digital.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen zyrtare të bibliotekës.