Zona përmirësimi i biznesit
BID – Business Improvement District – Zonë për Zhvillimin e Biznesit.
Projekti për BIDet u soll në vëmendje për tu implementuar në Shqipëri në kuadër të mbështetjes që AADF, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, po përpiqet të realizojë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
AADF, organizatë jofitim prurëse, e themeluar në vitin 2009 nga Fondi Shqiptaro – Amerikan i Ndërmarrjeve me mbështetjen e USAID-it dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përqëndrohet në katër kolona zhvillimore: Edukim për zhvillim të qëndrueshëm; Zhvillim të sipërmarrjes; Zhvillim të lidereshipit, Turizëm kulturor dhe eko-turizëm.
Koncepti i BID
Një Zonë për Zhvillimin e Biznesit është një organizatë e administruar privatisht, por e mbështetur nga publiku, e krijuar me qëllimin e rritjes së investimeve dhe shërbimeve publike në një lagje tregtare apo zonë urbane gjeografikisht të dallueshme. Pronarët e pronave në BID votojnë për të vendosur një taksë të detyrueshme në pronat e tyre.
Taksa mblidhet nga qeveria lokale (Bashkia), por kthehet plotësisht te komuniteti dhe përdoret për të përmbushur përparësitë e vetë-vendosura. Qëllimi kryesor i Zonës është të krijojë mundësi ekonomike të përmirësuara, siguri dhe një klimë të mirë biznesi mes anëtarëve të BID. Koncepti i një BID është i krahasueshëm me një qendër tregtare. Administrimi i këtyre qendrave zakonisht kërkon që çdo dyqan të paguajë një tarifë të detyrueshme, që shërben për mirëmbajtjen, mobilimin dhe sigurimin e zonave të përbashkëta. Në një zonë urbane të mirëpërcaktuar pronarët e pronave mund të organizohen për të zbatuar të njëjtin koncept si tregtarët në një qendër tregtare.
Përmbledhje e avantazheve, që BID mund t’u ofrojë anëtarëve të saj:
• Mundëson një mekanizëm, që tërheq financime nga donatorë të tjerë.
• Rritet siguria në zonë, pasi BID mund të punësojë polici private.
• Vlera e pronave në BID rritet.
• Lagjja është më e pastër dhe e mbajtur më mirë.
• Të ardhurat e bizneseve rriten për shkak të përmirësimit të imazhit të zonës.
• Ulen vendet e pashfrytëzuara dhe zgjerohet biznesi ekzistues.
• Zona tregtare mund të konkurrojë më mirë me bizneset e tjera nëpërmjet një planifikimi strategjik më të mirë dhe marketingut të përbashkët.
BID Shkodra shtrihet në rrugën kryesore të qendrës së qytetit – Rruga 13 dhjetori dhe 28 nëntori, pjesë e zonës historike, ku njëkohësisht ndodhen edhe biznese dhe institucione të rëndësishme të jetës administrative të qytetit përfshirë Bashkinë, Prefekturën, Këshillin e Qarkut, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Dhomën e Tregtisë, Agjensi Zhvillimi, etj.
Bizneset, 64 të tilla, janë biznese në fushën e shërbimeve, (kafe, restorante, fotograf, agjenci udhëtimi, dyqane veshjesh, argjendari etj). Rikonstruksioni i kësaj rruge, një bashkëfinancim i AADFsë dhe bashkisë Shkodër, mundëson që të kthehet rrugë me trafik të limituar, në orare dhe ditë të kufizuar shetitore në të cilën numri i kalimtarëve është rritur pa dyshim, së bashku me eventet kulturore artistike që zhvillohen aty. Pronarët dhe sipërmarrësit janë organizuar në shoqatën e tyre Shoqata e Rruges 28 Nëntori, ka zgjedhur anëtarët që i përfaqësojnë dhe kanë emëruar administratorin e shoqatës. Bashkia Shkodër, në bazë të marrëveshjes me AADF për mbështetjen e shoqatës së bizneseve, ka bërë transferimin e tarifave të bizneseve që ndodhen në këtë zonë dhe që kanë paguar në bashki për vitin 2013, ndërkohë që është në proces për tarifat e vitit 2014. Fondi i transferuar në llogari të shoqatës përdoret për mbulimin e kostove administrative dhe aktiviteteve të vetë shoqatës. Gjithashtu nga AADF u ofruan konsulence për bizneset e kësaj zone me studime dhe propozime për të përmirësuar performancën e bizneseve të tyre në përputhje me përmirësimet e reja të zonës. Nga AADF janë ofruar grante deri në 3000 $ bizneseve të zonës BID që bashkëfinancojnë për të përmirësuar apo përshtatur bizneset e tyre me kushtet e reja të zonës.
Tregues kryesorë për zonën BID Shkodra për periudhën 2012-2015:
• Investime private 2012-2015: 440,601,601 lekë
• Vende të reja pune 2012-2015: 84
• Biznese të reja 2012-2015: 18