“Shkodrën e gjeni kudo që jeni”
Komuniteti shkodran jashtë vendit është pjesë e pandarë e jetës dhe zhvillimit të Bashkisë Shkodër. Ky seksion shërben si një hapësirë informimi dhe komunikimi me diasporën, ku qytetarët mund të njihen me mundësitë për t’u regjistruar, për të ndarë ekspertizën, për t’u përfshirë në aktivitete dhe konsultime, si dhe për të bashkëpunuar në nisma me ndikim në vendlindje.
Diaspora shkodrane përfaqëson një burim të rëndësishëm të kapitalit njerëzor, financiar, kulturor dhe social. Përmes lidhjeve familjare, profesionale dhe komunitare, ajo ka kontribuar ndër vite në mirëqenien e familjeve, në zhvillimin e sipërmarrjes, në promovimin e kulturës shkodrane dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me vende dhe tregje të ndryshme.
Bashkia Shkodër synon ta zhvillojë këtë marrëdhënie mbi parimin e partneritetit dhe bashkëzhvillimit. Kjo nënkupton jo vetëm informimin e diasporës, por edhe përfshirjen e saj në konsultime, shkëmbim dijesh, mentorim të të rinjve, mbështetje të iniciativave kulturore e sociale, krijim partneritetesh dhe identifikim të mundësive konkrete për investim.
REGJISTROHU NË DIASPORË – Shpreh interesin për t’u bërë pjesë e Regjistrit të Diasporës Shkodrane dhe për të marrë informacion mbi nismat e Bashkisë.
KONTRIBUO ME EKSPERTIZË – Bëhu pjesë e rrjetit të profesionistëve, mentorëve, studiuesve, artistëve dhe sipërmarrësve shkodranë jashtë vendit.
AKTIVITETE DHE KONSULTIME – Ndiq njoftimet për aktivitete, konsultime publike, evente kulturore dhe thirrje për bashkëpunim.
INVESTO DHE BASHKËPUNO – Njihu me sektorët me potencial, mundësitë e financimit dhe kontaktet për investitorët.
1. Regjistri i Diasporës Shkodrane
Regjistri i Diasporës Shkodrane është një instrument vullnetar komunikimi, i krijuar për të njohur më mirë shtrirjen, profilet dhe interesat e komunitetit shkodran jashtë vendit. Regjistrimi i mundëson Bashkisë t’ju informojë mbi aktivitetet, konsultimet, projektet, mundësitë e investimit dhe thirrjet për bashkëpunim që lidhen me Shkodrën.
Të dhënat përdoren vetëm për qëllime institucionale dhe komunikimi, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Regjistrimi nuk krijon detyrim dhe të dhënat mund të përditësohen ose të hiqen me kërkesë të personit të regjistruar.
Formulari i Regjistrit të Diasporës Shkodrane do të publikohet pas miratimit. Deri atëherë, personat e interesuar mund të kontaktojnë strukturën përgjegjëse në adresën planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al.
2. Rrjeti i profesionistëve dhe “Ambasadorët e Qytetit”
Bashkia Shkodër synon të krijojë një rrjet të profesionistëve shkodranë në diasporë, duke përfshirë ekspertë të arsimit dhe shkencës, kulturës dhe artit, sportit, biznesit, teknologjisë, shëndetësisë, zhvillimit urban, mjedisit dhe fushave të tjera. Rrjeti do të shërbejë për shkëmbim ekspertize, mentorim, zhvillim partneritetesh dhe përfshirje në nisma konkrete vendore.
Në kuadër të nismës “Diaspora për Shkodrën”, figura të spikatura me origjinë nga Shkodra mund të promovohen si “Ambasadorë të Qytetit”. Kjo nismë synon të vlerësojë arritjet e tyre, të prezantojë modele frymëzuese për të rinjtë dhe të forcojë promovimin e Shkodrës në rrjete kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mentorim dhe këshillim: Seanca online ose fizike me të rinj, sipërmarrës, studentë dhe profesionistë lokalë.
Partneritete: Lidhje me universitete, biznese, bashki, institucione kulturore dhe organizata jashtë vendit.
Transferim dijesh: Ekspertizë për projekte, politika vendore, teknologji, menaxhim, kulturë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Promovim i Shkodrës: Përfaqësim në evente, rrjete profesionale, media dhe iniciativa ndërkombëtare.
Për t’u përfshirë në rrjet ose për të propozuar një bashkëpunim, kontaktoni Bashkinë në adresën planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al..
3. Pjesëmarrja në jetën kulturore, sociale dhe akademike
Shkodra ruan lidhjen me diasporën përmes kulturës, traditës, arsimit dhe krijimtarisë. Anëtarët e diasporës ftohen të marrin pjesë në eventet e qytetit, të propozojnë bashkëpunime artistike dhe akademike, të kontribuojnë në promovimin e trashëgimisë dhe të mbështesin iniciativa që lidhin brezat e rinj me vendlindjen.
Për njoftime mbi eventet, aktivitetet dhe thirrjet e hapura, vizitoni seksionin Afishime Publike në faqen e Bashkisë Shkodër.
Për proceset e konsultimit dhe dokumentet përkatëse, vizitoni seksionin Këshillim me Publikun
4. Diaspora dhe zhvillimi ekonomik i Shkodrës
Diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Shkodrës jo vetëm përmes kapitalit financiar, por edhe përmes njohurive, kontakteve, teknologjisë dhe aksesit në tregje të reja. Rrjetet e saj mund të lidhin bizneset vendore me partnerë ndërkombëtarë, të mbështesin promovimin e produkteve lokale, të krijojnë mundësi mentorimi dhe të nxisin investime në turizëm, agropërpunim, industri, ekonomi të gjelbër, teknologji, kulturë dhe shërbime.
Për informacion mbi sektorët me potencial, procedurat, shërbimet dhe mundësitë e financimit, vizitoni seksionin Investimet ose kontaktoni strukturën përgjegjëse të Bashkisë.
5. Konsultime, ide dhe propozime nga diaspora
Bashkia Shkodër mirëpret propozime nga individë, shoqata, rrjete profesionale dhe biznese të diasporës. Propozimet mund të lidhen me investime, kulturë, arsim, mjedis, teknologji, zhvillim social, turizëm, binjakëzime, grante dhe partneritete ndërkombëtare. Çdo propozim do të orientohet drejt strukturës përkatëse dhe do të trajtohet sipas procedurave institucionale.
Për t’u informuar mbi konsultimet e hapura, vizitoni Këshillim me Publikun.
Idetë dhe propozimet mund të dërgohen në adresën planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al. Formulari “Propozo/Bashkëpuno” .
6. Projekte, partneritete dhe praktika të suksesshme
Bashkia Shkodër ka qenë ndër bashkitë pilote për hartimin e Planit Vendor të Veprimit për Migracionin dhe Diasporën 2023-2025, të miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 75, datë 27.12.2022. Plani ka synuar forcimin e strukturës vendore, përfshirjen e diasporës dhe migrantëve të kthyer në shërbime, nxitjen e investimeve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në jetën kulturore dhe sociale.
Ky seksion do të përditësohet periodikisht me projekte të tjera të Bashkisë Shkodër, projekte të përfunduara ose në zbatim, si dhe nisma të organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve lokalë.
Organizatat dhe partnerët që dëshirojnë të propozojnë një projekt ose histori suksesi për publikim mund të shkruajnë në planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al
7. Dokumente, shërbime dhe lidhje të dobishme
Më poshtë gjenden dokumente dhe lidhje zyrtare që ndihmojnë diasporën të marrë informacion të saktë dhe të përditësuar.
Dokumente vendore
Plani Vendor i Veprimit për Migracionin dhe Diasporën 2023-2025
Legjislacioni dhe aktet e brendshme rregullatore të Bashkisë Shkodër
Raporti i monitorimit të zbatimit të buxhetit 2025
Plani Vendor për Migracionin dhe Diasporën 2026-2029
Shtetësia dhe dokumentet
Fitimi, rifitimi dhe heqja dorë nga shtetësia shqiptare
Kërkesë për fitimin e shtetësisë në e-Albania
Dokumentet biometrike – pasaportë dhe kartë identiteti
Legalizimi dhe apostilimi i dokumenteve
Rikthimi dhe riintegrimi
Informacion për migracionin dhe të rikthyerit – Bashkia Shkodër
Regjistrimi dhe shërbimet për punëkërkuesit
Shërbimet e punësimit dhe formimit profesional
Regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë
Regjistrimi në gjimnaz ose shkollë të mesme
Investimet
Mundësi investimi në Bashkinë Shkodër
Shërbimet administrative në fushën e zhvillimit ekonomik
Procedura për regjistrimin fillestar të biznesit
Shërbimet elektronike të Regjistrit Tregtar
Thirrjet publike dhe skemat e mbështetjes – Bashkia Shkodërr
8. Kontakti
Struktura përgjegjëse: Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Përmirësimit të Klimës së Biznesit – Sektori i Planifikimit Strategjik, Integrimit Evropian, Diasporës dhe Migracionit.
E-mail: planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al
Adresa: Bashkia Shkodër, Rr. “13 Dhjetori”, Nr. 1, Shkodër.
9. Pyetje të shpeshta për diasporën
Si mund të regjistrohem? Formulari i Regjistrit të Diasporës Shkodrane do të publikohet pas miratimit. Deri atëherë, mund të shprehni interesin përmes adresës zyrtare të e-mailit.
A mund të propozoj një projekt ose aktivitet? Po. Idetë për projekte, partneritete, evente, mentorim ose investime mund të dërgohen në adresën zyrtare të kontaktit të strukturës përgjegjëse.
A mund të përfshihem edhe nëse nuk mund të udhëtoj në Shkodër? Po. Konsultimet, mentorimi dhe një pjesë e aktiviteteve mund të zhvillohen edhe online.
Ku mund të gjej informacion për investimet? Në seksionin “Investimet” të faqes zyrtare të Bashkisë Shkodër, ku paraqiten informacionet dhe shërbimet për investitorët.
Si informohem për eventet dhe konsultimet? Përmes seksioneve “Afishime Publike” dhe “Këshillim me Publikun” në faqen e Bashkisë, si dhe përmes komunikimeve drejtuar personave të regjistruar në Regjistrin e Diasporës.
