Projekte Zhvillimi

PROJEKTI “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS QAFË THORE – THETH”

Përmirësimi i aksesit në qendrat e përzgjedhura bujqësore dhe turistike dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për të menaxhuar asetet e tyre rrugore.
Thethi, tashmë është një destinacion turistik i rëndësisë së lartë për të gjithë Shqipërinë. Pozita gjeografike, resurset natyrore, trashëgimia historike e kulturore e karakterizojnë të gjithë zonën duke krijuar një nga tre bërthamat kryesore të zhvillimit të turizmit të Alpeve Shqiptare. Thethi ka hyrë në një cikël të ri zhvillimi të turizmit të qëndrueshëm i cili kërkon një angazhim të lartë nga të gjithë për krijimin e lehtësive në akses, përmirësim të shërbimeve dhe cilësisë si për turistet ashtu edhe për banorët vendas, mbrojtjen e mjedisit dhe konservimin e trashëgimisë historike e kulturore.
Rruga është 16 kilometra e gjatë dhe lidh Thethin me Qafë Thorën, Bogën dhe Shkodrën. Në të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4 – 4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20-30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët. Përveç lehtësimit të qarkullimit edhe gjatë stinës së dimrit kur fshati bllokohet nga dëbora, rruga do të ofrojë siguri më të lartë. Aksi Shkodër – Theth është infrastruktura më e rëndësishme prioritare e përzgjedhur nga Bashkia Shkodër për zhvillimin e turizmit në zonat malore.
Bashkia e Shkodrës ka aplikuar në vitin 2017 në programin “Lidhja e Rrugëve Rajonale dhe Rurale” të Bankës Botërore për projektin Qafë Thore – Theth. Banka Botërore ka konfirmuar financimin (prej rreth 7 milion Euro) të rrugës Qafë Thore – Theth duke miratuar fondin e nevojshëm dhe punimet priten të fillojnë këto muaj nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Rikonstruksioni i rrugës Qafe Thore – Theth shihet si një nga masat kryesore në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë zonë. Gjithashtu për Bashkinë Shkodër ky projekt përfaqëson një nga prioritetet kryesore duke konsideruar lidhjen që bën me zhvillimin e mëtejshëm të potencialeve turistike të të gjithë zonës. Rikonstruksioni i rrugës do të përmirësojë jetën e banorëve të një prej zonave më të largëta e të izoluara duke krijuar aksesin e nevojshëm për marrjen e shërbimeve kryesore. Nga ana tjetër, projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit malor. Më shumë se 40,000 vizitorë, të cilët frekuentojnë këtë zonë do të kenë akses më të mirë dhe përmirësimi i saj do të ndikojë në shtimin e numrit të tyre duke krijuar mundësinë e turizmit edhe në periudhat kur është e pa aksesueshme.
Vlera e kontratës: 736,302,708 lekë
Kohëzgjatja: 2018 – 2022
Financues: Banka Botërore
Programi i Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale (Banka Botërore)
Programi INVESTIME PRIORITARE ME IMPAKT NË ZHVILLIMIN E TURIZMIT

PROJEKTI “RIKONSTRUKSIONI I SHESHIT TË SHIROKËS”

Projekti “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës” parashikon shndërrimin e zonës së Shirokës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës në një destinacion të mirëfilltë turistik, që ofron hapësira urbane dhe natyrore të dedikuara për të gjithë të apasionuarit pas natyrës, historisë apo sportit. Tashmë ka nisur puna për Rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës, si një nga asetet turistike më me rëndësi në Bashkinë Shkodër. Investimi është pjesë e projektit “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës”, financuar nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ky proces do të ndiqet nga faza e shtrimit me pllaka, mozaikët e të cilit janë frymëzuar nga motivet popullore. Paralelisht me punimet në shesh, po punohet për strukturën e platformës së liqenit dhe zonën e piknikut.
Projekti për rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës parashikon trajtimin e një hapësire prej: 20,000 m2 dhe restaurimin e 2,000 m2 fasadat e godinave pranë sheshit. Detaje të tjera, për krijimin e një hapësire komode për qytetarët do të përfshijnë: dekorim me gurë e dru, sistem ndriçimi dhe mobilim urban si dhe gjelbërim e sinjalistikë.
Projekti synon ta kthejë Shirokën në një qendër të rëndësishme argëtimi, kulture dhe turizmi duke nxitur aktivitete në liqen dhe rreth tij, si dhe duke ringjallur historinë e traditat pa prekur karakterin natyror të zonës.
Vlera e kontratës: 309,007,954 lekë
Kohëzgjatja: 2018-2019
Financues: Qeveria Shqiptare (Fondi Shqiptar i Zhvillimit)
Programi INVESTIME PRIORITARE ME IMPAKT NË ZHVILLIMIN E TURIZMIT

Projekte me Programin e Zhvillimit Rajonal – Shqipëria e Veriut

Bashkia Shkodër, në kuadër të Programit Zhvillimi Rajonal i Shqipërisë së Veriut, aplikimet për dritaren 1, pjesa B, ka aplikuar dhe është shpallur fitues me projektin me titull “Ndërtimi i sistemit të ndriçimit të rrugës “Ura e Bunës – Shirokë” me vlerë prej 109,493.23 Euro.
Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të jetesës së banorëve të zonës Shirokë Zogaj duke kontribuar në zhvillimin e tyre social ekonomik. Ndërsa objektivi specifik është përmirësimi i aseteve turistike të zonës nëpërmjet ndërtimit të sistemit të ndriçimit publik të rrugës Ura e Bunës – Shirokë.


Bashkia Shkodër hartoi dhe aplikoi me projektin me titull “Zhvillimi i turizmit mjedisor në lumin Buna dhe liqenin Shkodër”.

Pershkrimi i Projektit


WaterFront

Projekte Zhvillimi

Zone Industriale