Bashkia Shkodër shpall thirrjen për Aplikime për të gjitha subjektet publike dhe private të cilët janë të interesuar për të fituar statusin “Pronar social” në zbatim të nenit 23, pika 2 të ligjit nr.22/2018 “Për strehimin social”, i ndryshuar.
“Pronar social” është çdo subjekt publik, përveç njësive të vetqeverisjes vendore, si dhe çdo subjekt privat që investon në banesa sociale me qira ose që disponon për t`i dhënë me qira për familjet në nevojë për strehim. Pronari Social mbështetet nëpërmjet financimeve për subvencionimin e qirasë për familjet përfituese të miratuar nga këshilli bashkiak.
Çdo subjekt publik apo privat që disponon banesa për t`i dhënë me qira për familjet në nevojë për strehim, mund të aplikojë pranë bashkisë për t`u regjistruar si “Pronar Social” nëse plotëson kriteret e mëposhtme:
1. Banesa plotëson kushtet teknike dhe normat e strehimit në fuqi, referuar raportit të strukturës përgjegjëse në bashki;
2. Qiraja e banesës nuk është më e lartë se qiraja mesatare në tregun e lirë;
3. Nënshkrimi i një deklarate që nuk do të refuzojë qiramarrës për arsye që përbëjnë diskriminim;
4. Nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërmjet pronarit social dhe bashkisë që parashikon:
· afatin e marrëveshjes që mund të jetë më pak se 3 vjet;
· masën e qirasë mujore dhe mënyrën e shlyerjes së saj;
· mënyrën e administrimit të pronës dhe të marrëdhenieve me qiramarrësin.
Dokumentacioni i nevojshëm:
1. Deklaratë për shprehje interesi për të aplikuar si “pronar social”,
2. Shprehje e dakortësisë që nuk do të refuzojë qiramarrës për arsye diskriminuese;
3. Vertetim pronësie mbi banesën/ banesat në pronësi që jepen me qira për familjet në nevojë për strehim;
4. Ekstrakt të QKR-së , QKB-së për përsonat fizik/juridik;
5. Fotokopje të kartës së ID;
6. Saktësim adrese .
Afati i aplikimeve është deri me datë 08.02.2025.
Aplikimet dorëzohen pranë Zyrës me Një Ndalesë pranë Bashkisë Shkodër.