Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për aktivitetin “Kupa Miqësia”
Përshkrimi i projektit:
Projekti “Kupa Miqësia” parashikon organizimin e një turneu dyditor futbolli për veteranë, me pjesëmarrjen e ekipit të Kombëtares Shqiptare, Vllaznisë dhe ekipeve përfaqësuese nga Ulqini, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Gjatë dy ditëve do të zhvillohen ndeshje ndërmjet ekipeve pjesëmarrëse, sipas një formati dhe kalendari të përcaktuar paraprakisht. Organizimi duhet të sigurojë terrenin sportiv, pajisjet dhe materialet e nevojshme, akomodimin dhe mikpritjen e ekipeve, gjykimin profesional, asistencën mjekësore, masat e sigurisë, ceremoninë përmbyllëse dhe promovimin mediatik të aktivitetit.
Turneu synon të bashkojë ish-futbollistë dhe figura të njohura të futbollit shqiptar e rajonal, duke krijuar një hapësirë për aktivitete sportive, shkëmbim përvojash dhe forcim të marrëdhënieve miqësore ndërmjet pjesëmarrësve.
Qëllimi i projektit:
Thirrja e hapur ka për qëllim përzgjedhjen e një subjekti të përshtatshëm për organizimin dhe realizimin e turneut dyditor të futbollit për veteranë “Kupa Miqësia”, me synim:
promovimin e futbollit dhe të aktivitetit fizik për të gjitha grupmoshat;
nderimin dhe vlerësimin e kontributit të ish-futbollistëve në zhvillimin e sportit;
ruajtjen e lidhjeve të veteranëve me futbollin dhe komunitetin sportiv;
forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet ekipeve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut;
krijimin e mundësive për shkëmbimin e përvojave dhe traditave sportive ndërmjet pjesëmarrësve;
promovimin e vlerave të respektit, solidaritetit, bashkëpunimit dhe lojës së ndershme;
afrimin e publikut dhe brezave të rinj me figurat e njohura të futbollit;
promovimin e Shkodrës si një qytet me traditë të pasur sportive dhe si një qendër mikpritëse për aktivitete rajonale;
pasurimin e kalendarit sportiv të Bashkisë Shkodër me një veprimtari me karakter miqësor dhe ndërkombëtar.
Aplikimi:
- Të drejtën për të aplikuar e kanë:
a) Çdo shoqatë sportive e regjistruar në regjistrin e OJF-ve, person fizik apo juridik dhe ka ne fushë të veprimtarisë zhvillimin e sportit. - Kërkesa për mbështetje financiare
- Përshkrimi i detajuar i projektit (qëllim, objektiva, kalendar aktivitetesh me grafikun kohor të realizimit, përfituesit direkt dhe indirekt nga projekti);
- Formulari i aplikimit (I plotësuar sipas të gjitha pikave të nevojshme);
- Dokumentat e subjektit aplikues (vendim gjykate, statut, akt-themelimi dhe Nipt të përditësuar dhe CV te subjektit aplikues).
- Vërtetim që nuk është në proces falimentimi/likujdimi ose që është me status aktiv;
- Vërtetim që nuk ka detyrime të papaguara nga e-albania;
- IBAN i llogarisë bankare në LEKË origjinal me vulë nga banka (i përditësuar);
- Preventivi i përgjithshëm me të gjithë zërat e realizimit të projektit (duke shënuar donatorët përkatës nëse ka)
- Fotokopje e mjetit identifikues (kartë identiteti ose pasaportë);
- Letër mbështetje nga federata shqiptare në të cilën është anëtare;
- Deklaratë për të ardhurat e projektit (deklaratë e cila merr përsipër se të ardhurat e përfituara shkojnë për realizimin e aktivitetit dhe jo për përfitime vetjake)
- Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.
Nuk mund të aplikojnë:
Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.
Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:
Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 01/10/2026
Data e fundit e aplikimeve 15/10/2026
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 19/10/2026
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 19/10/2026
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.
Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftesë, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.
Fondi limit është 900,000 lekë
Kriteret e kërkuara:
Operatori/shoqata që aplikon për realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve sportive të këtij lloji të paktën 5 vite.
Operatori/shoqata duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në aktivitete sportive të tilla ose të ngjashme;
Vlerësohet cilësia e projektit.
Shoqata nuk është degë/zyrë e organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare, dhe organizatat të tjera ndërkombëtare jo-fitimprurëse të regjistruara për të punuar në Shqipëri;
Shoqata nuk është subjekt i ndonjë konflikti të interesit, sikurse parashikuar në dispozitat e Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Më konkretisht, përjashtohen nga vlerësimi ato projekte, në të cilat: Drejtori ekzekutiv, anëtarët e bordit apo personat e planifikuar për tu përfshirë në projekt janëtë punësuar në bashkinë apo institucionet e saj të vartësisë në të cilën aplikohet, në pozicionet: Zyrtari i nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas legjislacionit të shërbimit civil si dhe anëtari Këshillit Bashkiak, anëtar i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.
Formular aplikimi.
