Në mbështetje të Ligjit nr.139, datë 17.12.2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, Ligjit nr. 89 dt. 22.12.2022 “Për Policinë Bashkisë”, Ligjit nr.7961 datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, Vendimit nr. 452 datë 26.07.2023 “Për miratimin e rregullores kuadër të Policisë Bashkiake”, Vendimit nr. 30 datë 24.01.2024 “Për miratimin e strukturës të nëpunësve dhe punonjësve të administratës dhe të institucioneve në varësi të Bashkisë Shkodër” të ndryshuar;
Bashkia Shkodër shpall konkursin për vendet e lira të punës në pozicionet :
2 (dy) Polic bashkiak , Sektori i Kontrollit e Mbrojtjes së Territorit pranë Policisë Bashkiake, Bashkia Shkodër”
Data e dorëzimit të dokumentave: 28.06.2024
Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionet si më sipër është:
- Në fushën e bashkëjetesës shoqërore, Policia Bashkiake:
a) mbikëqyr respektimin e normave etike detyruese të bashkëjetesës, të përcaktuara në rregulloren e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
b) mbështet organet e inspektimit për zbatimin e legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit;
c) siguron ekzekutimin e sanksioneve për lidhjen dhe zgjidhjen e kontratës së qirasë së banesave sociale me qira dhe kufizimet mbi banesat me kosto të ulët, të vendosura nga entet menaxhuese. - Në fushën e Mbrojtjes së Mjedisit, Policia Bashkiake:
a) bashkërendon punën me strukturat përkatëse kur konstaton veprimtari të paligjshme për mjedisin, natyrën, pyjet, biodiversitetin dhe florën e faunën e egër;
b) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të kontrollit mbi gjuetinë kur pengohen në kryerjen e detyrës;
c) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse të inspektimit që mbulojnë veprimtarinë e peshkimit;
ç) bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit për mbrojtjen e liqeneve ndërkufitare, brigjeve të tyre, zonave ujëmbledhëse, si dhe veprimtaritë që ushtrohen në to;
d) verifikon dhe kontrollon zbatimin e kërkesave mbi nivelin kufi të zhurmës së lejuar nga personat fizikë e juridikë, që ushtrojnë veprimtari që gjenerojnë zhurma, në territorin e juridiksionit të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi për zhurmat. - Në fushën e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare, Policia Bashkiake:
a) siguron zbatimin e akteve që përcaktojnë kryerjen e veprimtarive që trajtohen si veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, në vende publike të përcaktuara paraprakisht nga organet e vetëqeverisjes vendore;
b) verifikon respektimin e normave ligjore në lidhje me përdorimin në tregje apo vende të autorizuuara nga bashkia të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme dhe vendosjen e materialeve reklamuese të pijeve alkoolike, pijeve energjike dhe pijeve të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar drejtuar të miturve;
c) mbështet strukturat përgjegjëse të taksave dhe tarifave vendore në veprimtarinë e tyre. - Në fushën e mbrojtjes së shëndetit, Policia Bashkiake siguron respektimin e normave ligjore në lidhje me ndalimin e pirjes së duhanit në mjetet e transportit publik, përfshirë taksitë dhe mjediset e përbashkëta, në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.
- Në fushën e ruajtjes së hapësirës publike, Policia Bashkiake:
a) siguron zbatimin e rregullave për përdorimin e hapësirës publike, për ndalimin e zënies së hapësirave publike, hedhjen e mbeturinave dhe mbrojtjen e monumenteve, ndërtesave, parqeve dhe lulishteve publike;
b) vëren dhe konstaton ndërtimet e kundërligjshme, njofton dhe mbështet menjëherë strukturën përgjegjëse ndërtimore e urbanistike të bashkisë për vazhdimin e mëtejshëm të procedu-rave ligjore;
c) siguron zbatimin e rregullave dhe procedu-rave për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e juridiksionit të bashkisë;
ç) garanton zbatimin e përcaktimeve ligjore mbi afishimin e materialeve propagandistike në vendet jashtë përcaktimeve të bëra, duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore.
1.1 KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI NË PROCEDURËN E PRANIMIT
Kriteret e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidatët në proçedurën e pranimit në detyrë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë
d) Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo një kundërvajtjeje penale;
dh) Të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna që nuk është shuar ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
e) Të mos jetë larguar nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës për shkak të vlerësimeve kalimtare ose periodike, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për punonjësit e Policisë së Shtetit;
ë) Të paraqesë vërtetimin e besueshmërisë.
Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:
a) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm të lartë.
1.2 DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT
Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
a) Kërkesën për punësim;
b) Jetëshkrimin;
c) fotokopjen e kartës së identitetit;
d) fotokopjet e noterizuara të diplomës të arsimit të mesëm të lartë dhe suplementit/listës së notave ;
e) 2 (dy) foto me përmasa 4 x 6 cm;
f) raportin mjekoligjor mbi gjendjen shëndetësore;
g) certifikatën e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti);
h) vërtetimin nga prokuroria për qenien ose jo në ndjekje penale;
i) vërtetimin nga gjykata për çështje në proces gjykimi;
j) dokumentet për vërtetimin e përvojës në punë apo librezën e punës;
k) vlerësimin e fundit të punës, kur aplikantët vijnë nga administrata publike;
l) vërtetimin që të mos ketë masë disiplinore të largimit nga puna që nuk është shuar ose të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
m) vërtetimin që të mos jetë larguar nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, për shkak të vlerësimeve kalimtare ose periodike, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi;
n) vërtetimin e besueshmërisë që lëshohet nga struktura vendore e Policisë së Shtetit, me kërkesën e bashkisë përkatëse, përpara pranimit në Policinë Bashkiake.
o) Lista e dokumentave të sipërcituar të jetë e inventarizuar dhe e nënshkruar nga kandidati.
Dorëzimi i dokumentacionit duhet të bëhet pranë ZIN në Bashkinë Shkodër, brenda datës 28.06.2024.
1.3 FUSHAT E NJOHURIVE, AFTËSITË DHE CILËSITË MBI TË CILAT DO TË TESTOHEN
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:
- Njohuritë mbi ligjin nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar;
- Njohuritë mbi ligjin nr. 89, dt. 22.12.2022 “Për Policinë Bashkiake”;
- Njohuritë mbi Vendimin nr. 452 datë 26.07.2023 “Për miratimin e rregullores kuadër të Policisë Bashkiake”;
- Njohuri për ligjin ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.
- Njohuri për ligjin nr. 9131/08.06.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
- Njohuri për ligjin nr. 961 dt.12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Republikës së Shqipërisë”.
1.4 REZULTATET PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK
Bashkia Shkodër në respektim të afatit ligjor do të shpallë në faqen zyrtare të internetit të Bashkisë Shkodër dhe në portalin e “Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive”, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për proçedurën e pranimit.
Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e pranimit dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht (nëpërmjet adresës së e-mail) për shkaqet e moskualifikimit.
Kandidatët, të cilët rezultojnë të pakualifikuar, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit individual, paraqesin ankesat me shkrim pranë njësisë përgjegjëse.
1.5 MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE
Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me:
a) Testimi me shkrim, 60 (gjashtëdhjetë) pikë;
Testimi me shkrim shërben për të vlerësuar nëse kandidati zotëron njohuritë e nevojshme për kryerjen e detyrave të punonjësit të Policisë Bashkiake.
b) Testim të aftësive fizike, 20 (njëzet pikë);
Testimi i aftësive fizike teston aftësitë psikomotore të kandidatit, ku përfshihen shpejtësia, shkathtësia fizike, rezistenca dhe koordinimi fizik.
c) Intervista, 20 (njëzet) pike;
Kandidati vlerësohet përmes intervistës lidhur me përshtatshmërinë dhe pranueshmërinë e tij për ushtrimin e detyrës.
Në këtë fazë konkurrimi, totali i pikëve të vlerësimit të kandidatëve është 20 (njëzet) pikë, të cilat ndahen përkatësisht:
a) jetëshkrimi (CV), që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, deri në 10 pikë;
b) intervista, deri në 10 pikë.
Procedura e përzgjedhjes për kandidatët me eksperiencë në Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura, Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, Shërbimin për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi përfshin vetëm fazën e verifikimit paraprak të kandidatëve, testimin me shkrim dhe intervistën nga komisioni përzgjedhës.
1.6 DATA E DALJES SË REZULTATEVE TË KONKURIMIT, MËNYRA E KOMUNIKIMIT DHE AFATET E ANKIMIMEVE
Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Bashkia Shkodër do të shpallë fituesin në faqen zyrtare dhe në portalin “Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive”. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës jofitues në këtë proçedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike, për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail në jetëshkrimin e dorëzuar).
Kandidati ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim në Komisionin Përzgjedhës për rezultatin e pikëve dhe renditjen në listën fituese. Afati i ankimit fillon brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga:
a) data e njoftimit individual të rezultatit të verifikimit paraprak të kandidatit;
b) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimit me shkrim;
c) data e njoftimit individual të rezultatit të testimit të aftësive fizike;
ç) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimeve për kandidatët, të cilët kanë marrë pjesë në të gjitha fazat e vlerësimit të përcaktuara.
Komisioni përzgjedhës njofton vendimin brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit ankimor.