Shpallet thirrja e parë për projektin “Skemë granti për të rinjtë”, në mbështetje të zhvillimit të iniciativave ekonomike lokale, duke ruajtur një qasje miqësore ndaj mjedisit.

Bashkia Shkodër në kuadër të projektit “Skemë granti për të rinjtë”, në mbështetje të zhvillimit të iniciativave ekonomike lokale, duke ruajtur një qasje miqësore ndaj mjedisit, shpall konkursin e hapur për dorëzimin e aplikimeve për grante, një mundësi e re ekonomike për sipërmarrësit aspirantë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-ve) të aftë për të qenë të qëndrueshëm në një treg konkurues.

Qëllimi i Thirrjes:

Qëllimi i kësaj thirrje është të mbështesë plane të qëndrueshme biznesi të krijuara nga të rinjtë e qytetit të Shkodrës, të cilët shfaqin aftësi të mbijetojnë në një treg konkurues. Procesi i përzgjedhjes së aplikantëve ka si qëllim të ofrojë transparencë dhe konkurrencë të barabartë si dhe të mbështesë idetë dhe planet e biznesit më të mira, inovative, fitimprurëse dhe që garantojnë rezultate të qëndrueshme.
Skema do të zbatohet në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër.

Aplikantët e Pranueshëm:

Granti do të mbështesë të rinjtë e moshës 18- 30 vjeç, banues në Bashkinë Shkodër, të cilët kanë një ide apo kanë një biznes ekzistues të vogël ose të mesëm dhe kërkojnë të shndërrohen në biznese eko-inovative, për një projekt propozim me afat nga 6 – 9 muaj dhe shuma do shpërndahet në bazë të planit financiar të aplikimeve fituese.

Aktivitetet e pranueshme për biznes janë nga sektorët e mëposhtëm, përkatësisht:

  • Turizëm/ Agroturizëm;
  • Mjedis;
  • Energji e rinovueshme;
  • Shërbime;
  • Artizanat;
  • Teknologjia e informacionit dhe zhvillimit.

Mbështetja financiare

Aplikimet që plotësojnë kriteret e kësaj skeme janë ato që kërkojnë një buxhet deri në 800 000 lekë. Kjo shumë është 80% e vlerës së projektit që do të aplikojë biznesi. Aplikanti duhet të ofrojë kontribut financiar të barabartë me të paktën 20% të grantit të financuar të kërkuar, pra aplikantët e përzgjedhur duhet të bashkëfinancojnë 20% të shumës së grantit.

Shpenzimet e pranueshme nga skema

Shpenzimet e pranueshme që mund të mbulohen nga fondi i grantit duhet të përdoren për zbatimin e planit të biznesit të paraqitur dhe mund të përfshijnë:

  • Blerjen e makinerive, mjeteve dhe pajisjeve, si edhe software dhe asete të tjera jo të prekshme të cilat do të shërbejnë për të diversifikuar prodhimin me produkte të reja ose një ndryshim rrënjësor në proçesin e përgjithshëm të prodhimit të këtyre produkteve;
  • Shpenzime për asete të tjera të paprekshme (licenca, markim dhe patentim produktesh);
  • Krijimi i një faqeje interneti, publikim ose reklamim i aktiviteteve vetëm për 3 (tre) muajt e parë të fillimit dhe nuk mund të tejkalojë më shumë se 10% të grantit total (si për njësitë e reja ekonomike edhe për ato ekzistuese);
  • Pagat dhe sigurimet do të mbulohen vetëm për të punësuarit që lidhen drejpërdrejt me procesin e prodhimit të produkteve/shërbimeve, deri në 3 muajt e parë nga fillimi i aktivitetit të biznesit por pa tejkaluar më shumë se 20% të grantit.

Si të Aplikoni:

Aplikimet e plotësuara me të gjithë dokumentacionin e detyrueshëm duhet të dorëzohen pranë sportelit të Z1N, në Bashki në tre (3) kopje të printuara dhe një kopje elektronike (në CD ose USB) dorazi, në një zarf të vulosur mbi të cilin është shkruar emri i thirrjes publike Formular aplikimi për pjesëmarrjen në skemën e granteve për biznese inovative për të rinjtë, emri i plotë dhe adresa e aplikantit.
Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me postë, faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa tjera nuk do të merren parasysh.

Afati i fundit për dorëzim nuk është më vonë se 10/12/2024, ora 16:00.

Çdo aplikim që merret pas datës së shpallur të mbylljes do të quhet i pavlefshëm.

Informacione të tjera:

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni në Drejtorinë e Planifikimit Strategjik dhe Përmirësimit të Klimës së Biznesit nëpërmjet adresës së e-mail: planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al.

Takimi informues do të organizohet më 11.11.2024, ora 11:00 në Qendrën Rinore “Atelie”.

Për shkarkimin e dokumentacionit të nevojshëm, ju lutem klikoni si më poshtë:

Aneksi 1 – Thirrje e Hapur
Aneksi 2 – Njoftimi i Takimeve Informuese
Aneksi 3 – Formulari i Aplikimit
Aneksi 4 – Tabela e Vlerësimit
Aneksi 5 – Formulari për Plan Biznesi
Aneksi 6 – Plani Financiar
Aneksi 7 – Deklarata e Plotësimit të Kritereve
Aneksi 8 – Udhëzues i Aplikimit