Bashkia Shkodër është shpallur fituese në thirrjen e publikuar nga Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD3). Programi ReLOaD3 është një iniciativë e financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD). Ky program zbatohet në gjashtë vende: Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Shqipëria.
Në partneritet me ReLOaD3, Bashkia Shkodër organizon seancën këshillimore për diskutimin dhe identifikimin e fushave prioritare, mbi bazën e të cilave do të shpallet Thirrja Publike për Organizatat e Shoqërisë Civile, duke përdorur Metodologjinë LOD.
Prioriteti 1
- Fuqizimi i Rinisë, Kreativiteti Digjital dhe Inovacioni Social
Qëllimi: Të mbështeten nisma që fuqizojnë të rinjtë dhe rrisin rolin e tyre në jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të bashkisë, duke përdorur teknologjinë, artin dhe inovacionin si mjete për zhvillim dhe ndryshim pozitiv.
Përfitues: OSHC-të (shoqatë ose fondacion) jofitimprurëse të regjistruara zyrtarisht në Shqipëri dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Shembuj fushash që mund të mbështeten:
Arti Digjital (Digital Art): krijimi i hapësirave ose aktiviteteve që promovojnë artin digjital, dizajnin grafik, animacionin, fotografi digjitale apo ekspozita me përdorim të teknologjisë.
Media Rinore & Podcasting: zhvillimi i platformave, podcasteve apo emisioneve që japin zë të rinjve dhe promovojnë çështje lokale, kulturë, arsim apo mjedis.
Inovacioni & Sipërmarrja Sociale Rinore: nisma që inkurajojnë mendimin krijues, përdorimin e teknologjisë për zgjidhje lokale (hackathone, gara inovacioni, laboratorë rinorë).
Edukimi Joformal & Aftësitë Digjitale: trajnime apo kampe që përgatisin të rinjtë për tregun e punës, sipërmarrje apo punë në distancë.
Përfshirja e të rinjve në hartimin e politikave rinore lokale: nisma që inkurajojnë bashkëkrijimin e vizionit dhe prioriteteve për rininë, përmes forumeve rinore, debateve apo konsultimeve me institucionet vendore.
Pjesëmarrja Qytetare: aktivitete që nxisin përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje, vullnetarizëm dhe nisma komunitare.
Prioriteti 2
- Zhvillimi i Turizmit të Qëndrueshëm, Marketingut Lokal dhe Ekonomisë Qarkulluese
Qëllimi: Të mbështeten projekte që rrisin potencialin turistik të bashkisë përmes inovacionit, promovimit kreativ dhe mbrojtjes së mjedisit, duke përfshirë komunitetin dhe sektorin privat në një zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës.
Përfitues: OSHC-të (shoqatë ose fondacion) jofitimprurëse të regjistruara zyrtarisht në Shqipëri dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Shembuj fushash që mund të mbështeten:
Marketing dhe Promovim Turistik: zhvillimi i strategjive kreative për promovimin e destinacionit, krijimi i materialeve promovuese (video, broshura digjitale, faqe web, rrjete sociale).
Prodhim Videosh dhe Historish Lokale: dokumentarë të shkurtër, video promovuese apo storytelling që tregojnë bukuritë natyrore, traditat, kulinarinë dhe historitë e komunitetit lokal.
Ekonomia Qarkulluese dhe Riciklimi në Turizëm: projekte që nxisin përdorimin e materialeve të riciklueshme, menaxhimin e mbetjeve, apo kreativitetin në ripërdorim për produkte turistike lokale.
Turizëm i Gjelbër dhe Edukim Mjedisor: aktivitete që rrisin ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, shëtitje edukative, apo nisma për pastrimin dhe gjelbërimin e zonave turistike.
Përfshirja e Komunitetit Lokal: nisma që përfshijnë banorët në zhvillimin e ofertave turistike, në organizimin e eventeve lokale apo në krijimin e produkteve artizanale.
Prioriteti 3
3. Ndërgjegjësimi dhe Edukimi për Integrimin Evropian
Qëllimi: Të rriten njohuritë, vlerat dhe ndërgjegjësimi qytetar mbi procesin e integrimit evropian dhe mundësitë që ofron ai për komunitetin lokal, me fokus tek të rinjtë dhe institucionet arsimore.
Përfitues: OSHC-të (shoqatë ose fondacion) jofitimprurëse të regjistruara zyrtarisht në Shqipëri dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Shembuj fushash që mund të mbështeten:
Nisma në bashkëpunim me shkollat, si p.sh. koncepti “Shkolla Evropiane”, që mund të përfshijë leksione të hapura, ditë tematike, konkurse, apo shkëmbime me shkolla të tjera brenda vendit.
Aktivitetet edukative dhe informuese për vlerat, historinë dhe institucionet e Bashkimit Evropian.
Fushata ndërgjegjësuese dhe digjitale (video, podcaste, ekspozita, panele, debate) mbi procesin e integrimit dhe ndikimin e tij në jetën lokale.
Projekte që nxisin dialogun ndërkulturor, tolerancën dhe pjesëmarrjen qytetare, në frymën e vlerave evropiane.
Ky aktivitet organizohet pranë sallës së takimeve të Bashkisë Shkodër, me datë 12/12/2025 në orën 11.00.
Jeni të lutur të konfirmoni pjesmarrjen tuaj brenda datës 11/12/2025, në adresën e e-mailit planifikimistrategjik@bashkiashkoder.gov.al
AXHENDA
Vendi: Salla e takimeve, Bashkia Shkodër
Me datë 12/12/2025, Ora 11:00
| Programi i takimit | |
| Faza I: Analiza e problemeve ekzistuese dhe diskutimi i përparësive | |
| 11:00 – 11:30 | Prezantimi i programit ReLOaD3 |
| 11:30 – 12:00 | Diskutimi i fushave të përparësisë |
| 12:00 – 12:30 | Konkluzione |
| 12:30 | Mbyllja e takimit |
Ju ftojmë të jepni kontributin tuaj në këtë takim!
