Klubi shumë sportesh

16 shkurt 1919, njihet si data e krijimit të Shoqnisë Vllaznia

Si u krijua shoqnia “Vllaznia”?
Shoqnia “Vllaznia” lindi si rrjedhojë e bashkimit të dy shoqnive atdhetare me baza të besimit, njëra prej tyre, ajo “Mustafa Pasha” e përbërë nga shkodranë të besimit islam dhe tjetra, “Vaso Pasha” me shkodranë të besimit katolik. Ato u bashkuan së bashku për t’i dhënë jetë “zgjimit të djelmnisë shqiptare në fushën letrare, teatrore, muzikore e gjimnastike” – siç thuhet në komunikatën e themelimit. Qëllimet e këtyre njerëzve ishin të mëdha sepse ata ishin të mëdhenj. Ndër veprat e para të shoqnisë “Vllaznia” ka qenë hapja e një shkolle, çelja e një biblioteke dhe organizimi i një gare sportive.
Po cilët kanë qenë drejtuesit e parë të kësaj shoqnie?

Kryesia e Shoqnisë “Vllaznia” (16 shkurt 1919):
Kryetar: HIL MOSI
Nënkryetar: HYS DRAÇINI
Arkëtar: PATUK SARAÇI
Këshilltar: KEL MARUBI
Këshilltar: LUIGJ KODHELI
Kontrollor: TAIP HILMIA
Kontrollor: OMER RUSHDI
Sekretar: JUNUZ TAFILAJ
Llogaritar: ALI BORSHI
Drejtues i degës letrare: KRISTO FLOQI
Drejtues i degës theatrore: SALI NIVICA, MATI LOGORECI
Drejtues i degës muzikore: NDUE PALUCA
Drejtues i degës gjimnastike: KOL MARGJINI

Kjo shoqni do të arrinte që shumë shpejt të bëhej e njohur jo vetëm në Shkodër e Shqipëri por edhe më gjerë. Ajo organizoi garën e parë të atletikës në vend më 1920 dhe më pas, rrethin e parë çiklistik për amatorët në Europë më 1925. Po atë vit botoi edhe gazetën e parë sportive në vend “Gazeta e Sportit”.
Në vitet 1922-28 në Shkodër do të krijoheshin disa shoqni të tjera sportive si ajo “Juventus”, “Studente Shkodra”, “Taraboshi”, “Djelmënia shkodrane”, “Lekë Dukagjini”, “Hasan Riza” etj.

Bashkimi Sportiv Shkodran
Në vitin 1930 do të krijohej shoqëria “Bashkimi Sportiv Shkodran”, e cila lindi nga bashkimi i pesë prej shoqnive të mësipërme.
Rikrijohet shoqnia “Vllaznia”
Në vitin 1935 do të rikrijohet sërish shoqnia “Vllaznia”. Data e themelimit të saj është 11 prilli i vitit 1935. Ngjyrat e kësaj shoqnie ishin ato e blerta, e kaltërta dhe e arta.
Ajo do jetonte deri në vitin 1939 sepse do pushonte së ekzistuari menjëherë pas pushtimit të vendit.
Në vitet 1939-44 sporti në Shkodër ka ekzistuar por në kuadrin e disa shoqnive. Ndërkohë me të çliruar vendin, do të rikrijohej Vllaznia dhe ajo do ta thoshte fjalën e saj ashtu siç duhet në çdo lloj sporti, pavarësisht sulmeve, nëpërkëmbjeve dhe nënvleftësimeve.

Futbolli
Është sporti më popullor dhe më i ndjekur. Në Shkodër futbolli ka filluar të luhet shumë herët. Topi i rrumbullakët është filluar të duket në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar. Ndërsa futbolli në Shkodër si datë të fillimit të të luajturit ka vitin 1908. Në atë vit një prift maltez, At Gut Ruter, solli topin e parë të vërtetë të futbollit dhe ky moment konsiderohet si ai i nisjes së futbollit në Shqipëri. Në vitin 1913 do të organizohej në Shkodër një ndeshje futbolli. Ajo ka hyrë në histori edhe si ndeshja e parë miqësore ndërkombëtare e futbollit në mes skuadrës vendase “Indipendenca” dhe një formacioni austro-hungarez që përbëhej nga pjesëtarë të ushtrive të këtyre vendeve që atë kohë kishin pushtuar qytetin. Për herë të parë ky takim zhvillohet sipas rregullores së kohës për nëntëdhjetë minuta, të ndarë me nga dy pjesë nga dyzet e pesë minuta. Skuadra “Indipendenca” përbëhej nga njëmbëdhjetë lojtarë, kapiteni i të cilëve ishte Palok Nika. Këtij takimi iu bë një jehonë e madhe edhe në shtypin e huaj teksa u pasqyrua në gazeta të ndryshme të Europës. Futbolli vazhdoi të luhej në këtë mënyrë deri në vitin 1919 kur u krijua shoqnia “Vllaznia”, e para edhe kjo në Shqipëri duke i shtuar qytetit të Shkodrës një tjetër krenari. Vetëm pas krijimit të shoqnisë “Vllaznia”, do të fillojnë të organizohen edhe takime me skuadra të qyteteve të tjera por edhe ndeshje ndërkombëtare. Ndërkohë, nga viti 1930 e deri më sot, ajo ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha kampionatet kombëtare të zhvilluara në vendin tonë. Ka arritur të fitojë nëntë tituj kampionë pikërisht në vitet 1945, 1946, 1971-72, 1973-74, 1977-78, 1982-83, 1991-92, 1997-98 dhe 2000-01. Po ashtu ka fituar gjashtë Kupa të Republikës në vitet 1965, 1971-72, 1978-79, 1980-81, 1986-87 dhe 2007-08. Janë fituar edhe dy Superkupa në vitet 1999 dhe 2001.
Në vitet ’30, kanë spikatur emra të tillë futbollistësh si Muhamet Halili, Qazim Dervishi, Hil Staka, Paç Koliqi, Pjetër Gjoka, Kin Bushati, Myzafer Pipa, Ali Paçrami, Rexhep Krasniqi, Ibrahim Dizdari, Asim Golemi, Reshit Rusi, Feti Dizdari, Zef Hila etj.
Në vitet ’40, emrat e atyre viteve janë të gjithë të bujshëm. Duke nisur nga Loro Boriçi, për të vazhduar me Dodë Tahirin, Muhamet Dibrën, Prek Gjeloshin, Beqir Osmanin, Muc Koxhjen, Ernest Halepjanin, Xhelal Jukën, Pal Mirashin, Zyhdi Barbullushin, Bimo Fakjen, Xhevdet Shaqirin, Met Vasinë, Latif Alibalin, Adem Smajlin, Pal Mirashin etj.
Në vitet ’50 spikasin emra si Shefki Boshnjaku, Kol Gjoni, Qemal Cungu, Shuajp Keraj, Zyhdi Bakalli, Ali Tepelija, Lutfi Laçja, Ali Kullolli, Beqir Cungu, Buto Smaja, Daut Shkreli, Qamil Medja, Fejzi Rrjolli, Alush Bakalli, Esat Bushati, Zija Halluni, Shuajp Preza e ndonjë tjetër.
Në vitet ’60 janë emra të tillë si Paulin Ndoja, Frederik Çapaliku, Sadetin Zmijani, Ramazan Rragami, Nikoll Gjergji, Kol Gjoni, Esat Rakiqi, Hajrullah Lekaj, Osman Djepaxhia, Menduh Dedja, Selami Dani, Sabah Bizi, Halil Puka, Lekë Koçobashi, Mehdi Milla, Jonuz Teli, Zija Dani, Bep Çefa, Zyhdi Basha etj që spikasin.
Në vitet ’70 ekipi do të fitonte plot pesë trofe dhe përveç emrave të mësipërm, dolën edhe të tjerë lojtarë në skenë si Millan Vaso, Ismet Hoxha, Suad Durraj, Seit Çanga, Çesk Ndoja, Viktor Plumbini të cilët më vonë do pasoheshin nga të tjerë si Lutfi Basha, Ahmet Meta, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Ardian Arra etj. Mbi të gjitha, meritën më të madhe në këtë periudhë suksesesh e ka ideatori i këtyre trofeve. Ai është trajneri Xhevdet Shaqiri, njeriu që duke e drejtuar këtë skuadër në pankinë, ka fituar më shumë se çdokush tjetër.
Në vitet ’80, do vazhdojnë sukseset. Do ketë sërish trofe, teksa merren dy kupa në vitet 1981 dhe 1987 si dhe titullin kampion më 1983. Të tjerë sportistë e trajnerë kanë dalë në skenë në këtë dhjetëvjeçar. Janë edhe Gjergji Kushe, Hysen Dedja, Bep Pali, Fatbardh Jera, Nikolin Thana, Fatmir Paçrami, Roland Luçi, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Ardian Bushati, Fasli Fakja, Viktor Briza, Kujtim Shaba, Arvid Hoxha, Isak Pashaj, Ilir Kepaj, Agron Lika, Lulëzim Bërshemi, Arjan Laçja, Astrit Semaj, Fejzi Shkenza. Trajnerët në këto suksese janë Ramazan Rragami, Medin Zhega, Esat Rakiqi e Astrit Hafizi.
Në vitet ’90, Vllaznia do ta nisë mbarë. Merr titullin në vitin 1992 dhe protagonistë janë edhe emra të rinj kampionësh si Avenir Dani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Astrit Premçi, Alban Noga, Azis e Bujar Gruda, Ramiz Bisha, Edmir Bilali, Ilir Keçi, Gjergj Fishta, Altin Halili, Dritan Nako, Vladimir Gjuzi etj.

Vllaznia është kampione edhe në vitin 1998 e më pas edhe në vitin 2001. Kuptohet me kontributin e madh të futbollistëve të tillë si Armir Grima, Vioresin Sinani, Edi Martini, Astrit Premçi, Alban Noga, Suad Lici, Luan Zmijani, Ilir Ymeri, Altin Xhahysa, Armando Cungu, Luan Jahja, Gjergj Shllaku, Alban Volumi, Ilir Dibra, Safet Osja, Edi Kraja, Ermal Dervishi, Brikeno Bizi, Kreshnik Osmani, Pjerin Martini, Arion Mustafa, Gaspër Ndoja, Oltion Osmani, Millosh Kërstaiç, Amarildo Belisha, Elvis Plori, Dorian Bylykbashi, Klodian Duro, Saimir Patushi, Albert Kaçi, Asim Gjokoviç e Elvin Beqiri. Trajnerët e këtyre dy sukseseve do ishin Hysen Dedja dhe malazezi Dervish Haxhiosmanoviç. Pa lënë aspak mënjanë edhe dy superkupat e fituara në vitet 1998 dhe 2001.
Ndërkohë, Vllaznia nën drejtimin e presidentit Valter Fushaj, do t’i dhuronte pas plot njëzet e një vitesh Shkodrës Kupën e Shqipërisë. Ndodhi pikërisht në sezonin 2007-2008, teksa kuqeblutë triumfuan ndaj Tiranës në finalen e Elbasanit. Trajner ishte sërish Haxhiosmanoviç, ndërkohë që në fushë përveç emrave të njohur si Grima, Sinani, Lici, Osja, Kotrri, do ishin edhe emrat e tjerë të rinj si ato të Admir Telit, Sasha Delain, Albert Kaçi, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika, Edmond Doçi, Ilir Nallbani, Marenglen Kapaj, Erion Hoti.

Basketboll
Basketbolli në Shkodër filloi të luhej pasi ky sport kishte hyrë më parë në Shqipëri. Ka qenë pikërisht Instituti Teknik i Tiranës, vendi ku për herë të parë filloi të luhej kjo lojë. Ishte viti 1920, kur ndodhi kjo. Në këtë institut kishte nxënës nga i gjithë vendi dhe këta të fundit kur shkonin në qytetet e tyre, e përhapnin këtë lojë edhe tek shokët e tyre. Kështu ndodhi edhe në Shkodër. I pari që njihet si njeriu që solli sportin e basketbollit në vendin tonë është një emër i nderuar i sportit tonë. Ai është Qazim Dervishi. Kjo figurë e madhe sportive, emrin e të cilit mban aktualisht edhe Pallati i Sportit të Shkodrës, arriti ta përhap këtë lojë, e cila fitoi popullaritet shumë shpejt.
Sipas historianëve, thuhet se ndeshja e parë zyrtare e basketbollit në Shkodër është zhvilluar më 16 maj të vitit 1926. Pas çlirimit të vendit, do të nisnin edhe kampionatet kombëtare dhe Vllaznia do të merrte pjesë rregullisht në to. Ajo ka arritur të fitojë nëntë tituj kampionë në sezonet 1966-67, 1989-90, 1992-93, 1996-97, 1997-98, 1999-2000, 2013-14, 2014-15 dhe 2015-16. Ka fituar trembëdhjetë Kupa të Shqipërisë dhe përkatësisht në sezonet 1957, 1958, 1966, 1967, 1968, 1981, 1985, 1994, 1996, 1998, 2013, 2014 dhe 2015.
Emrat më të spikatur sipas dekadave janë këto: Sadush Kumbaro, Qazim Luli, Adem Fishta, Gani Duli, Esat Haxhi, Vehbi Ademi, Muhamet Sokoli, Luan Shatku, Sander Laca, Skënder Osmani, Ali Quku, Burhan Ademi të cilët në vitet ’60 do të pasoheshin nga emra të rinj sportistësh të spikatur si Agim Lahi, Bujar Golemi, Renato Radoja, Filip Guraziu, Vladimir Gjurba, Zyhdi Çoba, Valter Kalaja, Ndrek Gjinaj, Petrit Osmani, Nikolin Pali, Asllan Gjyrezi, Roland Koka, Vladimir Gjurba. Ata do të pasoheshin nga Refik Vorfa, Angjelin Shiroka, Avenir Kalaja, Agim Haliti, Xhelal Kalaja e më vonë nga Mikel Gjoni, Sokol Kalaj, Marin Shestani, Korab Llazani, Hydajet Kotrri, Agustin Miculi, Ardian Zaganjori, Altin Shatku, Bledar Gjeçaj, Beniamin Idrizi, Artomen Çapaliku, Altin Halili e për të vazhduar brezin e fundit, Ervin Berdicën, Herion Faslijën, Gjon Ndojën, Nikolin Arrën, Damian Bekteshin, Antonio Shabanin etj.

Basketbolli Femra
Kanë luajtur për herë të parë basketboll në vitin 1934 në shkollën e Perashit. Ato do të marrin pjesë për herë të parë në kampionat në vitin 1949 dhe menjëherë zënë vendin e dytë. Emrat e parë dhe shumë të njohur të këtij sporti janë ato të Marije Rranzit, Pina Vuka (Haxhi), Nini Karafili, Gjystina Paloka, Gita Vuka, Vitore Paloka, Gjylfere Pipa, Xhemalije Jakupi, Nina Pici, Kiara Pici, etj, që drejtoheshin nga trajnerët Muhamet Sokoli, Mithat Abdurrahmani, Sander Laca e Esat Haxhi. Ky brez ka fituar Kupën e Republikës në vitin 1962. Në vitet ’70 do dilte në skenë një brez tjetër sportistesh të talentuara si Artenca Tufi, Bardhylka Beshiri, Leman Fani, Valdete Lipe, Xhane Gega, Belkize Këçiçi etj, të drejtuara nga Skënder Osmani. Në vitin 1979, Vllaznia fiton medaljet e arta në Spartakiadën e Katërt Kombëtare tashmë me trajner Valter Kalajën. Në vitin 1988, ajo do të fitonte Kupën e Republikës me trajner Viktor Kçirën dhe pjesë e ekipit kanë qenë sportistet e talentuara Xhuli Shestani, Marjeta Shutermeja, Fiorentina Mitku, Afërdita Rakaj, Myfarete Basha, Lumnije Syka, Shefkije Lataj etj.
Pas viteve ’90, basketbolli i femrave u shkri por u rikrijua sërish pas disa vitesh por pa pasur ndonjë shkëlqim të veçantë.

Volejbolli
Kjo lojë mendohet të ketë ardhur në Shkodër në vitet 1924-1925. Nuk ka pasur kampionate kombëtare, por çdo gjë është përfshirë në gara shkollash. Volejbolli luhej në të gjitha shkollat e qytetit. Kampionatet e rregullta do të nisin pas çlirimit të vendit. Suksesin më të madh Vllaznia do ta kishte në ekipin e femrave. Ato do të shpalleheshin kampione në kampionatin e dytë kombëtar në vitin 1947. Ky sukses do të përsëritej edhe dhjetë vite më vonë, në vitin 1957 dhe në vitin 1960. Për të vazhduar me tre Kupat e Republikës të fituara po në ato vite, më saktë në 1962, 1963 dhe në 1964. Volejbollistet më të njohura janë Marije Rranxi, Lumnije Pelingu, Lina Sokoli, Hyrije Shkëmbi, Bukurije Alibali, Flutura Bajrami etj. Në skenë dolën edhe emra si Nora dhe Mirela Deda, Valbona Quku etj, me trajner Mark Grimcin.

Tek meshkujt, ndërkohë, emrat më të spikatur janë ato të Ali Bushatit, Toni Fistanit, Mark Grimcit, Zef Toskës, Sandër Palokës, Viktor Jubanit, Agustin Gjonit etj. Ky është brezi më i suksesshëm i volejbollit të meshkujve, i cili arriti t’i japë Vllaznisë tre Kupat e Republikës në vitet 1969, 1970, 1973. Për të vazhduar me një brez tjetër të shkëlqyer volejbollistësh, me në krye Xhino Mjedën, Mark Krroqin, Gjon Çobën, Ardian Mikoplin, Irfan Damnorin, Besnik Lishin, Aleksandër Leqejzën etj. Përseverenca shumëvjeçare për një titull kampion u konkretizua në sezonin 2016-2017, kur nën drejtimin e trajnerit Mark Kroqi, Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë. Kjo është një meritë e padiskutueshme edhe e sportistëve Ditmir Rrashketa, Nikolin Qafarena, Vladan Xhorxheviç, Anton Qafarena, Renato Kola, Mario Gjoklaj, Gledis Dibra, Fatjon Çekini, Ardit Taflaj, Atrid Miloti etj.

BOKSI
Sporti i boksit në vendin tonë ka fillimet e tij në vitet ’30. Por duhet pranuar se atëherë shkodranët nuk janë shquar tek ky sport i cili dominohej nga korçarët. Në të vërtetë ky sport ka dy histori: atë të shkuarën dhe atë të sotmen. Secila ka pjesën e vet, të punës e të suksesit. E shkuara, ka të bëjë me kohën e boksit në diktaturë, ndërsa sotmja është ajo pas viteve ’90. Kjo e fundit sidomos ka qënë shumë e suksesshme me tituj kampion të shumtë si individë e si ekip. Pikërisht në vitin 1947 do të regjistrohej kampionati i parë kombëtar i këtij sporti në vendin tonë. Ismet Llukaçej dhe Shyqyri Halili do ishin kampionët e parë të boksit në historinë e klubit Vllaznia. Pas tyre do vinin të tjerë si Shpresim Bregu, Dervish Efovija, Nazmi Halili, Fadil Efovija, Viktor Martini, Ymer Gruda, Ramiz Halili, Ndoc Gjoni, Kolec Ashiku e Lem Kosova. Kaq deri në vitin 1963 sepse më pas boksi do ishte “shfaqje e huaj sportive e sport i rrezikshëm” dhe do të ndërpritej nga shteti. Do të rikthehej sërish në vitin 1991 dhe falë punës së shkëlqyer të trajnerëve Shyqyri Halili, Zef Gjoni, Nazmi Halili, Viktor Martini etj, në Shkodër do të krijohej ekipi i parë i boksit. Duke nisur nga viti 1992 kur do të zhvillohej kampionati i parë pas rilindjes së boksit në vendin tonë dhe deri në vitin aktual 2017, Vllaznia ka fituar plot 21 tituj kampion Shqipërie, po kaq edhe Kupa të Republikës. Një dominim absolut, falë punës së shkëlqyer të trajnerëve dhe sportistëve. Spikasin në veçanti rekordmeni i titujve kampion Artur Gavoçi, për të vazhduar me Besnik Limani, Nelson Hysa, Besnik Gjetja, Sokol Buliqi, Artur Drini, Jetmir Kuçi, Jetmir Isaj, Rafael Dabërdaku, Gazmend Muja, Admir Hardolli, Asim Maka, Oltion Kraja, Blerim Aliaj, Sead Bushati, Bujar Muleshku, Lazarin Vila, Sulejman Dashja, Feliks Kruja, Jozef Sermi, Kristian Demaj, Kristian Shytani, Ronildo Pirani, Syrjan Marinaj apo dhe kampionët e brezit të fundit si Arjon Kajoshi, Vuksan Guri, Krenar Zeneli e Bekim Vjerdha.

PESHËNGRITJE
Sporti i shtangës ka nisur të ushtrohet në qytetin tonë në vitin 1946. Pikërisht këtë vit organizohet edhe një kampionat lokal ku emrat e parë të peshëngritësve janë ato të Maliq Grudës, Njazi Bushatit, Emin Degistanit, Xhemal Kalleshit. Kampionati i parë kombëtar i shtangës do të zhvillohej në vitin 1949 dhe menjëherë do spikaste Njazi Bushati që do shpallej kampion dhe njëkohësisht do ishte edhe rekordmen në peshat e rënda. Bashkë me të do spikasnin për rezultatet e larta Maliq Gruda, Ahmet Nuti, Hamza Çela e Xhemal Peti. Megjithatë për të mbërritur tek sukseset e mëdha të këtij sporti duhej të kalonin edhe disa vite. Me fillimin e viteve ’60, në skenë do dilnin emrat e mëdhenj të këtij sporti jo vetëm në Shkodër por edhe në Shqipëri, Faruk Kalleshi e Asim Belinova të cilët jo vetëm janë kampionë të padiskutueshëm të vendit për disa vite rresht por janë edhe mbajtës të shumë e shumë rekordeve kombëtare. Bashkë me ta do të konkurronin me dinjitet edhe Gjovalin Çuni e Gac Nushi. Vllaznia në vitin 1972 merr titullin e parë kampion si ekip me trajner Hamza Çelën. Rezultatet do rriteshin më tej teksa Vllaznia do shpallej kampione në vitet 1973, 1976, 1977, 1978. Përveç dyshes Kalleshi-Belinova këta vite do bënë emër edhe sportistë të tjerë si Nikolin Qyrsaqi, Shtjefën Thaçi, Shemsi Bala, Ëngjëll Bilali e Kujtim Laçi. Ekipi shkodran mori edhe medaljet e arta në Spartakiadën e tretë kombëtare që u zhvillua në vitin 1974. Në vitet ’80, megjithëse si ekip, Vllaznia, nuk do shpallej kampione, veçse do mjaftohej me fitoren disa herë të Kupës së Republikës, do dilnin në skenë shtangistë të tjerë të talentuar, kampionë e rekordmenë si Xhelal Sukniqi, Esat Ademi, Genc Barkiçi, Besnik Jubani, Besnik Islami, Dedë Dekaj, Sokol Bishanaku, Dritan Zaganjori, Artur Lagja etj. Me këta sportistë, trajneri Petrit Hoxha do I rikthente titullin kampion Vllaznisë sërish në vitin 1991, për të vazhduar sërish një vit më pas. Ekipi shkodran do ishte kampion përsëri në vitin 2004 falë punës së trajnerëve Muhamet Tuzi e Genc Barkiçi. Peshëngritja shkodrane gjithnjë ka nxjerrë e do nxjerrë kampionë të tillë siç ishin edhe Bledar Piraniqi e Renato Sulkja, për të vazhduar me kampionë të tjerë si Xhulio Prronin, Emanuel Lushi, Isa Bala etj. ‘Qershia mbi tortë’ e gjithë historia e këtij sporti është Erkand Qerimaj, i cili ka arritur rezultatin e lartë jo vetëm në sportin shkodran, por edhe atë Shqipëtar teksa ka arritur të shpallet kampion Europe.

ATLETIKË
Fillimet e garave të atletikës në vendin tonë zënë fill në vitin 1920 kur në Shkodër do të zhvilloheshin garat zyrtare të para në disiplinat e thellësisë. Në vitin 1925 shoqëria “Juventus” organizoi të parin kampionat lokal me të gjitha garat e atletikës dhe po në vitin 1925 u zhvillua edhe takimi i parë ndërkombëtar në Mal të Zi (Zetë). Më 2 shtator 1929 u zhvillua i pari kampionat kombëtar në mes qyteteve e pastaj çdo vit me rradhë, i dyti, i treti deri në vitin 1934 ku të gjitha këto kampionate i fitoi pikërisht ekipi i Vllaznisë. Për t’u veçuar kampionati i tretë kombëtar ku Shkodra ka paraqitur si pjesmarrës plot 73 atletë, ka fituar 327 pikë mbi Tiranën dhe 224 pikë mbi gjithë Shqipërinë. Deri në vitin 1938 atletët shkodranë kanë marrë pjesë në të gjitha Olimpiadat e zhvilluara si ajo e Zagrebit, Athinës, Beogradit, Sofies etj. Femra shkodrane u bë promotore e zhvillimit të atletikës shqiptare. Kulmi i saj ishte fitimi për 15 vjet rresht i titullit kampion kombëtar duke thyer njëkohësisht edhe qindra rekorde kombëtare. Emrat e Feti e Ibrahim Dizdarit si trajnerë si dhe ato të sportistëve si Marije Rranxi, Nini Karafili, Pina Thani, Kjara Paci, Zef Franja, Osman Gruda, Luigj Bojani, e më vonë, Hivzi Kotrri, Rasim Kraja, Sebije Keraj, Myzejen Duli, Adile Dani, Shaqe Nika, Hysni Bebeziqi etj do të ishin shembulli më i mirë i traditës së mrekullueshme të atletëve shkodranë. Një plejadë e re sportistësh stërvitej ndërkohë plot pasion për t’i dhënë atletikës shqiptare shkëlqimin e ri. Titujt kampionë dhe rekordet kombëtare të Angjelina Gurakuqit, Niko Laros, Oltion Lulit, Arben Makës, Sokol Shepetesë janë akoma rekorde për t’u lakmuar. Sukseset e ekipit të meshkujve të Vllaznisë kanë vazhduar gjithë këto vitet e fundit dhe në vitin 2019 ka fituar titullin e 11 kampion rradhazi, çka tregon se ky ekip është në elitën e atletikës shqiptare.

ÇIKLIZMI
Historia e këtij sporti është shumë e hershme. Madje nëse për topin e futbollit përmendet viti 1905 si momenti kur filloi të luhej kjo lojë, për çiklizmin përmendet viti 1900 kur biçikletën e parë e solli në Shqipëri një person me emrin Cuk Skjapi. Një biçikletë me tre rrota. Por fillesa e vërtetë e çiklizmit në Shkodër përkon me vitin 1920, më saktë në maj, një vit pas krijimit të shoqërisë “Vllaznia”. Gara me itinerarin Shkodër-Koplik, 36 km e gjatë, është edhe e para garë në Shqipëri. Fituesi i kësaj garë të parë është Loro Nika. Në vitin 1925, Palok Nika duke bashkëvepruar me 7 shoqëri sportive që ekzistonin në Shkodër, vendosin për nisjen e këtij Rrethi të parë Çiklistik që më vonë do të njihet edhe si Rrethi i Parë Çiklistik në Europë për amatorët. Pjesëmarrësit do mbërrinin tek fundi i këtij Rrethi të parë çiklistik dhe fitues i tij do ishte Jonuz Gjylbegu. Në vitet ’30 do zhvilloheshin disa gara të tjera ku Shkodrën apo më saktë Bashkimin Sportiv Shkodran (siç quhej ndryshe Vllaznia në këtë periudhë), do të evidentoheshin emrat e çiklistëve të tillë si Asllan Kamata, Ruzhdi Daca, Teufik Myftari, S. Perolli e S. Juka.
Rrethi i dytë çiklistik do të zhvillohej në vitin 1936. Ai do të përbëhej nga 11 etapa dhe pjesmarrës në të ishin 15 çiklistë të disa rretheve. Shkodra do të përfaqësohej në këtë Rreth me dy çiklistë: Gjovalin Ljarjen dhe Teufik Myftarin. Në përfundim të krejt Rrethit, Gjovalin Ljarja do të zinte vendin e dytë. I pari i “dinastisë Muriqi”, asaj që do i jepte shumë çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar ishte pikërisht Fadil Muriqi. Fadili do shpallej fitues i Rrethit Çiklistik për katër vjet me radhë nga viti 1950 deri më 1953. Përveç tij spikasin edhe Gani Laçej, Shyqyri Gokaj etj. Pas këtij brezi do dilte në skenë Gani Muriqi dhe më vonë edhe vëllai tjetër, Ruzhdiu që madje bëhet fitues edhe i Rrethit në vitin 1964. Bashkë me ta do dallohen në vite edhe sportistë të tjerë si Bardhyl Rroji, Xhelal Hebovija, Hilmi Lala, Zija Ulqinaku, Sami Ahmeti, Bahri Zmijani etj. Ndërkohë me kalimin e viteve, sigurisht që çiklizmi shkodran përpiqet ta thotë fjalën e vet por jo ashtu siç duhet. Megjithatë emrat e tjerë që spikasin gjatë këtyre viteve janë ato të Sali Isufit, Gëzim Stricës, Drin Dashit, Fatmir Dibrës, Hamza Shpuzës, Sali Salihit, Anton Shestanit, Albert Palushit, Menduh Sheqerit, Hyrjan Pukës, Gëzim Meçanit, Gëzim e Agim Ferracakut, Sabri Sinori etj.
Duhet të vinin vitet ’80 që Vllaznia të dilte në skenën e çiklizmit shqiptar. Falë një brezi çiklistësh të rinj të talentuar dhe punës së trajnerit Gani Muriqi, do vinin edhe sukseset e mëdha. Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili do ishin emrat që për një dekadë të tërë, të “bënin ligjin” në Rrethet Çiklistike. Janë 5 tituj kampioni si ekip dhe 7 si individë. Sëbashku me ta janë edhe Fuat Muriqi, Sabaudin Hoxha, Mehdi Selmani e Leonat Kolës. Mbi të gjithë është një emër: Agim Tafili. Sportistë të tillë rrallë mund t’i vijnë Shkodrës dhe Shqipërisë. Një lider i vërtetë, kampion i parezistueshëm, kapiten dhe udhëheqës i rrallë i ekipit.
Në vitet ’90 do lindte një brez i ri. Edhe ai do mundohet të ndiqte rrugën e Tafilëve dhe Sykjes. Me në krye Leonard Kolën, ky brez sportistësh do t’i dhuronte Shkodrës edhe dy tituj të tjerë kampionë. Falë edhe England Qereshnikut, Gëzim Mllojës, Briken Dibrës, Aleksandër Lazrit.

Ekipet kampione të Vllaznisë në vite:

  • 1982 Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili, Agim Ferracaku. Trajner: Gani Muriqi
  • 1984 Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili, Hyrjan Puka, Agim Ferracaku. Trajner: Gani Muriqi.
  • 1985 Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili, Sabaudin Hoxha. Trajner: Gani Muriqi
  • 1988 Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili, Fuat Muriqi, Sabaudin Hoxha. Trajner: Gani Muriqi
  • 1989 Agim Tafili, Brahim Sykja, Sytki Tafili, Fuat Muriqi, Sabaudin Hoxha, Leonard Kola. Trajner: Ruzhdi Muriqi
  • 1995 Selim Çelmeta, Leonard Kola, England Qereshniku, Briken Dibra, Gëzim Mlloja. Trajner: Ruzhdi Muriqi
  • 1997 Leonard Kola, England Qereshniku, Gëzim Mlloja, Aleksandër Lazri. Trajner: Ruzhdi Muriqi.

Si individë: kemi Agim Tafili (6 herë), Fadil Muriqi (4 herë), Jonuz Gjylbegu (1 herë), Sytki Tafili (1 herë), Ruzhdi Muriqi (1 herë), Vitet e fundit çiklizmi shkodran kaloi momente të vështira dhe madje ishte drejt shkrirjes por falë ndërhyrjes së disa ish-sportistëve si Sabaudin Hoxha e Leonat Kola, ai sërish është ringritur në nivele shumë të mira. Aktualisht kemi të bëjmë me një brez sportistësh të rinj të talentuar të cilët edhe për vitin 2017 i kanë fituar të gjitha garat e zhvilluara në Shqipëri dhe është një brez që premton shumë për të ardhmen me në krye Bruno Kolën, Astrit Kronaj, Kledison Cani, Sion Gjoka, Alfons Rrashkadoli e Gjergj Zefi me në krye trajnerin Leonat Kola.

MUNDJA
Sporti i mundjes është i hershëm, mund të thuhet madje që në lashtësi. Por në të vërtetë në Shqipëri, organizimi i mundjes si sport ka nisur vetëm pas çlirimit të vendit. Më konkretisht në vitin 1947, specialisti i parë dhe organizatori i përhapjes, ishte shkodrani i njohur Luigj Shala. Ky vit shënon zyrtarisht edhe nisjen e mundjes në Shkodër. Mundësit shkodranë do ta thonin gjithnjë fjalën e tyre në mënyrë dinjitoze në këtë sport burrëror. Qazim Elbasani është kampioni i parë i mundjes në historinë e Vllaznisë. Ka ndodhur në kampionatin e stilit klasik të vitit 1949 kur Elbasani do të konkurronte në peshën 67 kg. Sukseset do vazhdojnë në vitet në vijim me emrat e tjerë kampionësh si Dak Vukatana, Ismet Llukaçej që përveçse kampion në mundje është kampion edhe në sportin e boksit. Për të vazhduar me Mark Vatën e Njazi Bushatin, kampionë në vitin 1956, madje ky i fundit për dy vjet me radhë. Të tjerë emra kampionësh janë edhe Fadil Toptani e Gjovalin Çuni. Trajneri Qazim Elbasani në fillimin e viteve ’60 mundohet të sjellë ndryshime të mëdha në mundjen shkodrane. Duke punuar me sportistë të tillë si Gjon Gjuraj, Xhevdet Elbasani, Hamza Çela, Fadil Bajrami, Preç Pjetri, Tahir Nasufi, Ymer Gruda dhe Gjovalin Çuni, ai kërkon të lëjë gjurmë. Në vitet në vazhdim do vinë të tjerë kampionë si Jonuz Bajrami, Xhelil Koçi e Ymer Gruda. Mundës të tjerë si Mirash Vuksani e Eljaz Ahmeti ishin pjesë e Partizanit. Aty ku po lindte një brez mundësish të rinj e të talentuar si Bajram Agovi, Dedë Paloka, Ali Murrizi, Musa Jonuzi, Nik Mrina, Murat Zmijani, Muhamet Shkami e Ali Çela. Ka qenë një periudhë që Vllaznia nuk shkëlqente me ekipin e të rriturve por ajo nuk do zgjaste shumë. Traneri Sulejman Rama punon mjaft mirë me ekipin e të rinjve, dhe shumë prej tyre brenda pak vitesh do të bëhen titullarë dhe kampionë me të rriturit. Në tapetin e mundjes gjatë këtyre viteve dhe më saktë në vitin 1965, do hasim edhe emrin e Faruk Kalleshit, kampionit të madh të peshëngritjes. Po atë vit, në historikun e mundjes do hasim edhe emrin e Asim Belinovës, një tjetër kampion dhe rekordmen i shtangës, pranë Bajram Hallunit, Fatlum Balerit, Shyqyri Bakut, Hil Pecit dhe Ndoc Markut. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe në tapetin e mundjes do zbresin edhe emra të tjerë të mëdhenj të mundjes si Iljaz Guri, Nikoll Grima, Tasim Rexha, Dedë Bregu, Agim Sula, Isa Vejuka, Gegë Gjoni, Tonin Dema, Fran Topalli, Naim Pepa, etj. Emrat janë të gjithë të rëndësishëm për historinë e këtij sporti: Paulin Merls, Ali Amza, Seit Fishta, Hysen Vejuka, Rrok Bardeli, Agustin Mhilli, Alfred Bardeli, Paulin Sterkaj, Aleksander Leka, Gjovalin Bari, Pashko Skoda, Selaudin Rexha, Besnik Rama, etj. Pas viteve ’90, mundja në Shkodër do të pushonte së ekzistuari për disa vjet me radhë, por me përpjekjet e trajnerit Dedë Bregu, kanë filluar të vijnë rezultatet e para me kampionin Jetmir Elezi, pa lënë menjëherë faktin tjetër që Elis Guri u shpall deri Kampion Botë me Bullgarinë. Ndërkohë që vitet e fundit ka spikatur një tjetër kampion, Qamil Bajrami, i cili ka arritur të shpallet dy herë kampion i Shqipërisë.

GJIMNASTIKA
Sporti i gjimnastikës i ka fillimet e tij në Shkodër menjëherë pas çlirimit të vendit. Fillojnë të organizohen kampionatet e para lokale dhe emri i parë që spikat është ai i Leo Prelës. Kampionati i parë kombëtar është zhvilluar në vitin 1949 në Tiranë dhe Vllaznia renditet e dyta ndërsa do të shpallej edhe kampionia e parë kombëtare që ishte Nurije Rama. Me kalimin e viteve, ky sport do të vazhdonte të rriste nivelin e tij dhe njëkohësisht nuk do të mungonin as sukseset. Tek meshkujt spikasin emrat e Hivzi Bushatit, Begator Bashkurtit, të dy këta sportistë të talentuar që më vonë do të bëheshin edhe trajnerë të tillë sëbashku me Bardhyl Hoxhën, Nush Nikën e Tonin Gjonin. Pa lënë mënjanë këtu edhe Latif Kashin etj. Ekipi i meshkujve në viteve 1976-77 do të shpallej kampion kombëtar. Pas këtij brezi do të spikasnin të tjerë gjimnastë si Artan Vukatana, Benjamin Nako, Veselin Zako, Arshi Sula, Artur Malile etj. Ndërkohë tek femrat emrat më të spikatur ishin ato të Mira Mandisë, Fatime Sujovit, Greta Bojanit, Remzije Ashikjes, Satber Tulës, Flora Skënderit etj. Ky brez sportistesh nën drejtimin e trajnerit Bardhyl Hoxha për disa vite me radhë do të ishte shumë i suksesshëm dhe do të zinte vendin e parë dhe do të fitonte medaljet e arta në Spartakiadën e katërt Kombëtare. Pas viteve ’90 me ndryshimet demokratike në vend, sporti i gjimnastikës u shkri, por vitet e fundit, me kontributin e Leonard Lulajt, ky sport është ngjallur sërisht. Madje, Vllaznia për femra, në gjashtë vitet e fundit (përfshi këtu edhe vitin 2017) është kampione kombëtare me të rriturat. Një sukses ky i punës që bën trajneri Vladimir Limaj, por edhe i sportisteve Oneda Reçi, Aurela Hoxha dhe Anxhela Stojna. Spikat mbi të gjitha kampionia Oneda Reçi, e cila ka arritur të marrë medalje të arta edhe në turne të rëndësishëm ndërkombëtar që janë zhvilluar jashtë vendit.

XHUDO
Bën pjesë tek artet marciale dhe në fakt kanë nisur vonë në Shkodër dhe Shqipëri. Pikërisht pas viteve ’90 kur vendi ynë u hap dhe erdhën përvoja dhe sporte të tjera nga jashtë. Një ndër këto sporte ishte edhe xhudoja. Falë pasionit të Anton Shkozës, i cili vetë ka qenë sportist kampion për disa vite me radhë, por më pas edhe në rolin e trajnerit, punoi shumë për të nxjerrë kampion nga ky sport. Ndër emrat më të shquar në vite bëjnë pjesë sportistë si Edmond Topalli që arriti të marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike, për të vazhduar me Paulo Jakini, Gjelina Pjetri, Aurora Shkoza, Roland Preka, Alfons Babani, Angjelin Deda, Luigj Shkoza, Edmond Preka, Ylli Ujka, Lurjan Kaçi, Ndoc Ndoci, Roland Vasija, Juli Marku, Xhovani Shkoza etj. Vllaznia për shumë vite me radhë ka qenë kampione absolute e vendit në këtë sport dhe po ashtu, sportistët e saj kanë fituar edhe shumë medalje në arenën ndërkombëtare.

HENDBOLLI
Fillimet e hendbollit në Shkodër i ka në vitet 70. Pas ngritjes së ekipit të parë, i përbërë nga Ali Matlia, Ismail Kombi, Franc Pavaci, Muharrem Dibra, Aqif Boriçi, dhe trajneri Frederik Bianku, ky ekip zhvilloi aktivitetin e tij gjatë viteve 1970-1973. Më pas, për arsye të panjohura, u ndërpre aktiviteti dhe u rinovua në vitin 1988 me trajner Lek Sinishta dhe lojtarë si Edmond Zenuni, Naim Haliti, Anton Gega, Aldo Jana, Mark Kushi, Vladimir Duli, Nikolin Kalaj, Nikolin Karroca, Ridvan Dibra, Alek Vata, Andrea Hila, Atfi Hebovija, Arben Rrjolli, dhe Artan Durro, i cili ishte më i ri sepse luante edhe me të rinjtë. Gjatë këtyre viteve, ekipi bëri paraqitje të mira. Sinishta drejtoi ekipin deri në vitin 1992, kur e mori Ali Matlija. Të rinj si Gentian Kiri, Rokin Daberdaku, Artan Bajraktari, Artur Vrilla, Petrit Hoti, Arian Ibershimi, Edmond Milla etj., u bashkuan me ekipin. Shumë lojtarë të Vllaznisë, si për të rriturit ashtu edhe për të rinjtë, ishin pjesë e ekipeve kombëtare. Në vitin 1994, ekipi u drejtua nga Ylber Dibra dhe u shpall kampion kombëtar. Megjithatë, hendbolli u mbyll përsëri për shkak të problemëve financiare. Për t’u përmendur është fakti se, ndërsa hendbolli mbyllej në Shqipëri, Artan Durro dhe Gentian Kiri nënshkruan kontrata për një ekip në Maqedoni. Hendbolli u rihap përsëri në vitin 2000 me trajnerë të Vllaznisë si Rokin Daberdaku dhe Ridvan Dibra. Lojtarë të kësaj skuadre ishin Arjan Ibershimi, Ardit Çiellza, Shyqyri Haxhija, Ajet Dani, Olvar Nurja, Darjen Hasanaj, Fatjon Barbullushi, Xhulio Dushi etj. Këtë ekip, që nga viti 2000 deri në 2007, e pa veten kampion kombëtar. Më pas, Ardit Çiellza, që ishte edhe lojtar i skuadrës, drejtoi ekipin. Në fund të vitit 2013 dhe fillimin e 2014, ekipin e drejton Artan Durro, i cili federohet si trajner dhe si lojtar. Në tetor të vitit 2015, Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë.

SHAHU
Loja e shahut ndërtoi historinë e saj pas vitit 1944. Fillimisht filloi të luhej në shkollat e mesme, më pas në qendrat e punës, duke vazhduar me kampionatet lokale dhe pastaj ato kombëtare. Shahistët e parë ishin Gaspër Simoni, Abdyl Shala, Ndrek Temali, Nihat Bakalli, Esat Dursku, Çesk Jubani, Kozma Vasili e Pop Llazari. Në vitin 1953, Mendim Veizaj u shpall kampion kombëtar duke arritur suksesin e parë. Shahistët shkodranë vazhduan paraqitjet e tyre të mira edhe më vonë me Anton Gurakuqin, i cili u shpall kampion në vitin 1995, dhe sportistë të tjerë. Në vitin 2008, ekipi i Vllaznisë u shpall kampion i vendit në kampionatin ekipor, një sukses i sportistëve të tillë si Bernard Leka, Franc Ashiku, Aleksandër Paci, Gëzim Ndoka, Elvis Tarasja, me trajner Muhamet Gradecin. Vitet e fundit, Franc Ashiku u shpall kampion i Shqipërisë si individ. Edhe femrat nuk qëndruan pas, pasi në vitin 1963 u shpallën kampione kombëtare në kampionatin që u zhvillua në Peshkopi. Në atë vit, Ylvije Boriçi u shpall kampione si individ, ndërsa një vit më pas, në 1984, këtë sukses e arriti Albana Vuji. Emra të tjerë të shquarë të sportistëve janë ata të Arta Alushit, e cila u shpall kampione kombëtare në vitin 2002, si dhe Marina Vuji, Valbona Milla etj. Trajneri Muhamet Gardeci ka punuar me shumë pasion për shumë vite me radhë, dhe kjo punë u shpërble me jo pak suksese.

NOTI
Federata ndërkombëtare e notit u themelua në 1908, por në Shqipëri kampionati i parë u zhvillua në 1931, gjurmët e tij datojnë më herët, të paktën veprimtaritë lokale në Shkodër janë zhvilluar nga viti 1920 në disiplinën 100 m, ku morën pjesë rreth 15 vetë. Në 1924 në statusin e shoqërisë “Djelmnia Shkodrane” figuron edhe organizimi i garave të notit. Kurse shoqëria “Bashkimi Sportiv Shkodran” i krijuar në 1930 do të zhvillonte kampionate lokale mes anëtarëve të cilët më pas do të merrnin pjesë në kampionatin e parë kombëtar në 1931 Në 1934 veçohet notari Lin Shestani që zë vende të para në disa disiplina si trajner, përmendim mësuesin Rustem Lopci. Spotistë në vite krahas Enver Muriqi e Mark Shestani janë Selami Ibrahimi me 107 rekorde. Tef, Zek e Rrok Shestani, Zeqir Ibrahimi, Emin Lishi, Azem Plisi, Nazmi Cirilami, Fatmir Halili, Smajl Mehja, Ethem Avdia, Halim Zaganjori, Sadi Anadolli, Tonin Radovani, Kole Shiroka, Moisi Shestani, Besnik Kroni, Ilir Ymeri, Kudrete Kozmaj, Anjeza Shestani, Esma Vorfa, Flutura Shkenza, Mimoza Alia, Sabahet e Kudret Mashku. Kontribut të veçantë dha edhe e ndjera Kudrete Kozmai për notaret Anila Egerci e Rovena Marku zotëruese për disa vite në shumë gara të titujve kampione si dhe shumë rekorde kombëtare Vllaznia ka arritur të fitojë tituj kampione në 1958, 1959, 1960, 1962, 1963, 1965, spartakiada 89 vaterpol 58, 1959, 1960, 1962, 1963, 1965, 1987, 1988, 1989, 1990, 1991.
Trajinierë: Smajl Muriqi, Enver Muriqi, Shuajp Mehmeti, Halim Zaganjori, Smajl Elezi, Menduh Lishi, Franc Noga, Rrok Shestani, Mark Shestani, Sabahet Alia, Kudrete Kozmai, Kole Shiroka, Gjon Shyti, Halim Zaganjori, Ritvan Gjecaj. Veçohet z.Gjon Shyti i cili arriti të bëhej trajner i ekipit kombëtar të Italisë së fundmi edhe i Turqisë.
Gjyqtarë: Sabahet Alia, Mark e Tef Shestani, Enver Muriqi, Halim Zaganjori, Fejzi Halili, Emin Lishi, Mehsi Muriqi, Smajl Elezi, Brahim Dizdari, Nazmi Hebovija, Ritvan Gjecaj, Ethem Avdia, Shuk Voci, Zamir Kozmaj.

PING PONG
PINGPONGU Ka nisur të luhet vonë por njëkohësisht do të ishte një sport që do i vinte jo pak në provë edhe sportistët shkodranë në garë me ato të rretheve të tjera. Suksesi më i madh i ekipit të femrave ishte ai i vitit 1984 kur Vllaznia u shpall kampione kombëtare. Një sukses ky i merituar i sportisteve të tilla si Violeta Bërloka, Mimoza Kazazi etj. Madje Mimoza Kazazi do ishte edhe dy herë kampione kombëtare si individe. Emra të tjerë janë ato të Feride Bicit, Majlinda Maliqit, Liljana Qukut. Ndërkohë tek meshkujt duhet theksuar fakti se titulli i parë kampion si ekip është fituar në vitin 1969. Pjesëtarë të atij suksesi ishin sportistët Tonin Dusha, Frederik Berisha, Ruzhdi Quku e Benard Kiri me trajner Xhemal Bilalin. Titulli i dytë kampion do të vinte pas plot 34 vitesh, më 2003. Spikatnin në këtë sukses Gëzim Pepa, Enver Haliti, Sokol Tirana e Nadir Quku, me trajner Tonin Binoshin. Vitet e fundit ndërkohë interesi për këtë sport ka rënë megjithatë po bëhen të gjitha përpjekjet për ringritjen e tij sërish.