Shtyerje të afatit të thirrjes së hapur për anëtarë të Këshillit Vendor të Rinisë, Bashkia Shkodër deri me 01/12/2025

Në zbatim të Ligjit nr. 75/2019 “Për rininë”, si dhe të udhëzimeve përkatëse për ngritjen dhe funksionimin e Këshillave Vendorë të Rinisë, me qëllim miratimin e kritereve dhe procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë të Bashkisë Shkodër, si dhe të menyrës së organizimit dhe funksionimit të tij, bazuar në Ligjin nr. 24/2025 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 75/2019, “PËR RININË” dhe sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 66, Dt. 31.10.2025, Për miratimin e kritereve dhe procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë, si dhe mënyrës së organizimit dhe të funksionimit, Bashkia Shkodër ka shpallur shtyrjen e afatit të thirrjes së mandatit të dytë të anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë.

Qëllimi dhe funksioni i Këshillit Vendor të Rinisë

  1. Këshilli vendor i rinisë është organ këshillimor, që funksionon pranë kryetarit të bashkisë. Këshilli vendor i rinisë ushtron kompetencat e mëposhtme:
    a) këshillon njësitë e vetëqeverisjes vendore për drejtimin e politikave dhe planeve vendore për rininë;
    b) vlerëson situatën e të rinjve dhe zbatimin e planeve dhe politikave rinore në nivel vendor;
    c) propozon përmirësime të politikave vendore rinore, si dhe nismat që i përshtaten nevojave të të rinjve në territorin ku veprojnë;
    ç) bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Këshillin Kombëtar të Rinisë;
    d) jep mendim për politikat dhe çështjet e tjera vendore me ndikim mbi të rinjtë, sipas kërkesës së bashkisë.
  2. Këshilli vendor i rinisë përbëhet nga një numër anëtarësh, që llogaritet në një të tretën e numrit në fuqi të anëtarëve të këshillit bashkiak, ku të paktën dy të tretat e anëtarëve përfaqësojnë të rinjtë. Këshilli bashkëkryesohet nga kryetari i bashkisë dhe njëri nga anëtarët e tij, që përfaqëson të rinjtë. Anëtarët e këshillit vendor të rinisë emërohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.
    2/1. Veprimtaria e këshillit vendor të rinisë financohet:
    a) nga bashkia, bazuar në legjislacionin në fuqi;
    b) nga institucioni përgjegjës për rininë, bazuar në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të tij.
  3. Kriteret, procedurat e përzgjedhjes dhe kompensimit të shpenzimeve së anëtarëve të këshillit vendor të rinisë, si dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të këshillit vendor të rinisë miratohen me vendim të këshillit bashkiak, duke iu referuar, për aq sa është e mundur, kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për Këshillin Kombëtar të Rinisë.

Kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë në Bashkinë Shkodër

1.Kandidati për anëtar të KVR-së, përfaqësues i organizatave rinore, duhet të plotësojë këto kritere:
a) të ketë dhënë kontribut në fushën e rinisë të paktën për 2 (dy) vitet e fundit, nëpërmjet projekteve me fokus rininë apo të zhvillimit të nismave ose të aktiviteteve për promovimin e të rinjve;
b) të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore.

      2. Kandidati për anëtar të KVR-së, jo përfaqësues i organizatave rinore, duhet të plotësojë këto kritere:
      a) të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
      b) të ketë përvojë pune në fushën e zhvillimit apo të zbatimit të aktiviteteve rinore, apo të ketë qenë pjesë e nismave ose aktiviteteve për promovimin e të rinjve;
      c) të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe të dispozitave ligjore në fuqi.

      3. Kandidati, për t’u emëruar anëtar i KVR-së, duhet të paraqesë, përkatësisht, dokumentacionin si vijon:

        a) kandidati, përfaqësues i organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë:
        i. kërkesën;
        ii. jetëshkrimin;
        iii. fotokopje të dokumenteve që vërtetojnë jetëshkrimin;
        iv. vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj;
        v.vetëdeklarimin e konfliktit të interesit;
        vi. NIPT të organizatës që përfaqëson;
        vii. jetëshkrim të organizatës.

        b) kandidati, jo përfaqësues i organizatave rinore:
        i. kërkesën;
        ii. jetëshkrimin (CV: fotokopje të dokumenteve që vërtetojnë jetëshkrimin); iii. vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj;
        iv. letër motivimi;
        v. vetë-deklarimin e konfliktit të interesit

        Si të aplikoni

        Të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Këshillit Vendor të Rinisë në Bashkinë Shkodër deri më 01/12/2025 tek info@shkodrarinore.gov.al dhe në cc: info@bashkiashkoder.gov.al, duke bashkëngjitur dokumentet përkatëse sipas kritereve të përcaktuara.

        E ardhmja e qytetit formohet nga të rinjtë e tij. Jep kontributin tënd dhe bëhu pjesë e ndryshimit!