Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për projektin “Sport për Të Gjithë”
Përshkrimi i projektit:
Në kuadër të promovimit të një jetese aktive dhe të shëndetshme në komunitet, Bashkia Shkodër synon të zhvillojë aktivitetin “Sport për Të Gjithë”, një program sportiv me kohëzgjatje 9-mujore. Ky aktivitet do të ofrojë mundësi për fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët e interesuar për të ushtruar sport pa pagesë, nëpërmjet shfrytëzimit të një kompleksi sportiv. Programi do të përfshijë aktivitete të ndryshme sportive dhe rekreative, të organizuara në mënyrë të rregullt gjatë gjithë periudhës së zbatimit, me mbështetje nga trajnerë dhe staf i kualifikuar.
Qëllimi i projektit:
- Promovimi i një jetese të shëndetshme dhe aktive:
Programi synon të nxisë pjesëmarrjen e komunitetit në aktivitete fizike të rregullta, duke përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. - Rritja e aksesit në infrastrukturë sportive:
Përmes ofrimit të aksesit falas në një kompleks sportiv, krijohen mundësi të barabarta për të gjitha grupmoshat për të ushtruar sport. - Forcimi i lidhjeve komunitare:
Aktivitetet e përbashkëta sportive përgjatë 9 muajve krijojnë hapësira për ndërveprim social dhe rrisin ndjenjën e përkatësisë në komunitet. - Zhvillimi i sportit në nivel lokal:
Përfshirja e një game të gjerë aktivitetesh ndihmon në identifikimin dhe promovimin e talenteve të reja, si dhe në rritjen e kulturës sportive në qytet. - Edukimi dhe përfshirja e të rinjve:
Përmes pjesëmarrjes në aktivitete sportive, të rinjtë zhvillojnë vlera si disiplina, bashkëpunimi dhe respekti, duke kontribuar në formimin e tyre social.
Duke zbatuar këtë program 9-mujor, Bashkia Shkodër synon të krijojë një model të qëndrueshëm për aktivizimin sportiv të komunitetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Aplikimi:
- Kërkesa për mbështetje financiare
- Përshkrimi i detajuar i projektit (qëllim, objektiva, kalendar aktivitetesh me grafikun kohor të realizimit, përfituesit direkt dhe indirekt nga projekti);
- Formulari i aplikimit (I plotësuar sipas të gjitha pikave të nevojshme);
- Dokumentat e subjektit aplikues (vendim gjykate, statut, akt-themelimi, Nipt të përditësuar dhe CV te subjektit aplikues).
- Vërtetim që nuk është në proces falimentimi/likujdimi ose që është me status aktiv;
- Vërtetim që nuk ka detyrime të papaguara nga e-albania;
- IBAN i llogarisë bankare në LEKË origjinal me vulë nga banka (i përditësuar);
- Preventivi i përgjithshëm me të gjithë zërat e realizimit të projektit (duke shënuar donatorët përkatës nëse ka)
- Fotokopje e mjetit identifikues te administratorit (kartë identiteti ose pasaportë);
- Deklaratë për të ardhurat e projektit (deklaratë e cila merr përsipër se të ardhurat e përfituara shkojnë për realizimin e aktivitetit dhe jo për përfitime vetjake)
- Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.
Nuk mund të aplikojnë:
Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.
Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:
Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 17/03/2026
Data e fundit e aplikimeve 03/04/2026
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 08/05/2026
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 09/04/2026
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër
Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftesë, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.
Fondi limit është 4.500.000 lekë
Kriteret e kërkuara:
- Operatori/shoqata që merr përsipër realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve sportive.
- Operatori/shoqata duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në aktivitete sportive të tilla ose të ngjashme;
- Vlerësohet cilësia e projektit.
- Operatori/shoqata nuk është degë/zyrë e organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare, dhe organizatat të tjera ndërkombëtare jo-fitimprurëse të regjistruara për të punuar në Shqipëri;
- Operatori/shoqata nuk është subjekt i ndonjë konflikti të interesit, sikurse parashikuar në dispozitat e Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Më konkretisht, përjashtohen nga vlerësimi ato projekte, në të cilat: Drejtori ekzekutiv, anëtarët e bordit apo personat e planifikuar për tu përfshirë në projekt janëtë punësuar në bashkinë apo institucionet e saj të vartësisë në të cilën aplikohet, në pozicionet: Zyrtari i nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas legjislacionit të shërbimit civil si dhe anëtari Këshillit Bashkiak, anëtar i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.
Kritere të tjera:
- Operatori/shoqata duhet të ketë në pronësi osë të marrë me qira hapësira rekreative për sporte si futboll, volejboll, basketboll, tenis etj.
- Operatori/shoqata duhet të ketë eksperiencë në mbështetjen dhe organizimin e aktiviteteve kombëtare amatore dhe zyrtare
- Operatori/shoqata merr përsipër mirëmbajtjen teknike të vazhdueshme të hapësirave rekreative dhe sportive
- Operatori/shoqata merr përsipër lejimin e aksesit në to pa pagesë për të gjithë të interesuarit.
