“Bashkia Shkodër me një bazë të zgjeruar taksapaguesish, rrit kapacitetet financiare dhe mirë-administrimin e të ardhurave në përmbushje të funksioneve të saj”.
Konteksti i Bashkisë Shkodër paraqet jo vetëm zgjerim gjeografik të kufijve administrativë, por edhe shumëllojshmëri të territorit. Bashkia mbulon tashmë territore, që shtrihen nga Alpet e përfundojnë në bregdet, duke përfshirë ekosisteme e tipologji të ndryshme terrenesh. Secili nga këto territore ka ndërthurjen e vet të traditave, burimeve natyrore, burimeve ekonomike e cilësive infrastrukturore. Bazuar në politikat zhvillimore të territorit të Bashkisë së Shkodrës, veprimet tona duhet t’i japin vlerë zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së burimeve natyrore dhe traditave tona kulturore. Ndaj çështja kryesore është gjetja e mundësive që të kthejmë këtë shumëllojshmëri në avantazh konkurues dhe çdo territor të kontribuojë në mirëqënien e Bashkisë.
Për të krijuar këtë mjedis, ne do të fokusojmë punën në përdorimin efektiv të burimeve njerëzore, fizike dhe financiare.
Shtrirja territoriale e Bashkisë Shkodër nga Alpet e Shqipëri në detin Adriatik ka karakteristika të diversifikuara zhvillimore. Gjatë viteve Shkodra me të gjitha njësitë administrative të saj ka pësuar ndryshime të mëdha në zhvillimin territorial, domografik, ekonomik dhe social kulturor. Ndërthurja e burimeve të shumta natyrore me vlerat historike, traditën dhe kulturën e vendit si dhe kapitalin njerëzor përbën avantazh të rëndësishëm për banorët duke krijuar kushtet e një zhvillimi ekonomik me potencial. Bashkia Shkodër ka një sipërfaqe prej 873 km2 me një popullsi totale prej 213,217 banorësh ku 55 % e popullsisë janë banorë të Shkodrës dhe 45 % banorë të njësive Administrative.
Konsultimi me qytetarë dhe grupe interesi
Në hartimin e paketës fiskale të Bashkisë së Shkodrës janë përfshirë përfaqësues të biznesit të madh dhe të vogël, banorë të njësive administrative, përfaqësues të komunitetit sipas interesit dhe përfaqësues të partive politike e këshilltarë:
Për ndryshimet dhe përditësimet e paketës fiskale janë bërë takime konsultative gjithpërfshirëse. Gjatë këtyre takimeve bashkëqytetarë, banorë, përfaqësues të grupeve të interesit, është diskutuar dhe janë bërë propozime për përmirësim.
Mbas diskutimeve dhe konsultimeve me publikun të realizuara nëpërmjet diskutimeve publike që Bashkia Shkodër ka organizuar në Lagjet e Qytetit dhe në Njësitë Administrative, pas vlerësimeve të propozimeve dhe sugjerimeve të ardhura në formë shkresore pranë zyrës me një ndalesë, apo përmes sekretarisë së këshillit bashkiak, pasi janë marrë në konsideratë këto sugjerime dhe janë vlerësuar referuar bazës ligjore të aplikueshme, është hartuar paketa fiskale me ndryshimet e reflektuara në Projekt – vendimin për miratim “Për disa ndryshime në VKB nr. 1, dt. 22.01.2016 “Për miratimin e taksave dhe tarifave vendore në Bashkinë Shkodër“.Për ndryshimet e propozuara të paketës fiskale 2024 është realizuar dëgjesa publike me datë 27.12.2023.
Vizioni ynë, për një territor bashkiak të integruar, parashikon planifikim dhe investime që krijojnë mundësi për një zhvillim të qëndrueshëm të balancuar për të gjithë territorin, duke mbrojtur burimet natyrore. Kjo qasje bazohet në përforcimin e identitetit të secilës zonë të Bashkisë, duke patur parasysh burimet natyrore, profilin ekonomik dhe produktet, shtrirjen e shërbimeve dhe traditën, me synimin e përhershëm të rritjes së nivelit të jetesës.
Miradministrimi i burimeve financiare nëpërmjet planifikimit sa më real të të ardhurave si dhe zbatimi me rigorozitet i rregulloreve dhe urdhëresave, zbatimi i ligjit përbën moton e punës tonë.
Planifikimin e kemi mbështetur në shpërndarjen sa më të drejtë të ngarkesës tatimore duke bërë përcaktimin i nivelit të tarifës sipas llojit të aktivitetit, sipas vendndodhjes gjeografike, duke lehtësuar bizneset në zonat më pak të zhvilluara.
Ne synojmë që të kemi në dorë një mekanizëm i cili na ndihmon për të arritur objektivat në realizimin e prioriteteve të identifikuara në planet tona strategjike më afatgjata.
Bazuar në të gjitha sa më sipër, ju paraqesim paketën fiskale me ndryshimet e propozuara. Propozimet janë në përputhje me ndryshimet ligjore të ndodhura. Ato konsistojnë në përmirësime teknike dhe proceduriale, duke patur parasysh që paketa fiskale është e integruar, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.
Në mënyrë të përmbledhur kjo paketë fiskale synon:
a) Përditësimin dhe aplikimin e kornizës ligjore të ndryshuar;
b) Përditësimin e procedurave, afateve, aktorëve, veprimeve, përgjegjësive për vjeljen e çdo takse dhe tarife, pjesë e kësaj pakete fiskale.
c) Përmirësimin e sistemit fiskal efiçent dhe transparent;
d) Përcaktimine qartë në seksione të taksave dhe tarifave.
e) Është synuar në një
- Taksim të drejtë;
- Tarifim të mbështetur në kosto shërbimi;
- Klasifikim i biznesit sipas qarkullimit vjetor, llojit të aktivitetit, vendodhjes, etj.
f) Aplikimi i incentivave, lehtësirave fiskale, përjashtimeve për grupe të caktuara taksapaguesish në nevojë, për aq sa lejon dhe lejon ligji.
Bazuar në Ligjin nr.139/2015, datë 17.12.2015 “Për vetqeverisjen vendore”, Ligji nr 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, Ligjin 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore” dhe Ligjin nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, në të ardhurat vendore përfshihen kryesisht: - Tatim i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël;
- Taksa mbi pasurinë e paluajtshme
- Taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja;
- Taksa e fjetjes në hotel;
- Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme;
- Taksa e tabelës/reklamat;
- Taksa e mjeteve të përdorura të transportit;
- Taksa e rentës minerare;
- Të ardhura nga tatimi mbi të ardhurat personale;
•Tarifa për shërbime;
Detyrimet për taksat dhe tarifat vendore, për taksapaguesit e biznesit, institucionet, individët dhe familjet përllogariten duke filluar nga data 1 janar deri më 31 dhjetor të çdo viti. Më poshtë në mënyrë të përmbledhur jepet legjislacioni fiskal vendor, i cili është konsultuar për të hartuar këtë paketë fiskale.
Transferta nga qeverisja qendrore
Transfertë e pakushtëzuar
Transfertë e pakushtëzuar sektoriale
Transfertë e kushtëzuar
Për më shumë informacion në faqen web – Paketa fiskale.