E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
a) të drejtën për një jetë private;
b) sekretin tregtar;
c) të drejtën e autorit;
ç) patentat.
E drejta e informimit kufizohet në rast se dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtme:
a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;
b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;
c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;
ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;
d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;
e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare.
E drejta e informimit kufizohet, edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.