Kufizimet në blerjen e pronave
Ligji Nr. 8743, datë 22 shkurt 2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i ndryshuar, bën dallimin mes pronës shtetërore dhe asaj publike. Sipas tij me “pronë të paluajtshme shtetërore” kuptohet prona e paluajtshme e qeverisjes qendror dhe e njësive të qeverisjes vendore, ndërsa prona e paluajtshme publike kuptohet ajo pjesë e pronave të paluajtshme të shteti që përmbush funksione themelore dhe të pandashme të shtetit dhe që sjell përfitime në favor të publikut të gjerë. Administrimi i pronës së paluajtshme nga organet shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore bëhet në përputhje me rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në Kodin Civil.
Qeraja e pasurive të paluajtshme
Të huajt mund të marrin lirisht me qera pasuritë e paluajtshme, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Civil dhe legjislacionit përkatës. Kodi Civil nuk parashikon asnjë afat minimal, por periudha maksimale është 30 vjet, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje specifike.
Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme
Kategoritë e ndërtesave | Njësia | Bashkia Shkodër |
Ndërtesa banimi | lekë/m2 | 300 |
Ndërtesa të tjera për tregti dhe shërbime | lekë/m2 | 700 |
Ndërtesa të tjera | lekë/m2 | 500 |
Regjistrimi i pasurive të paluajtshme
Sipas ligjit me nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, tjetërsimi i të drejtës së pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi tokën dhe ndërtesat bëhet pasi të jenë të regjistruara në regjistrin përkatës. Këto regjistra janë të hapura për publikun dhe përmbajnë të gjitha të dhënat e pasurive të paluajtshme.
Taksa për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme
Tjetërsimi i pasurive të paluajtshme është subjekt i një takse për kalimin e pronësisë që paguhet nga shitësi. Shuma e taksës varet nga lloji i pasurisë së paluajtshme dhe vendndodhja e saj. Taksa e kalimit të pronësisë së truallit është llogaritur duke u bazuar në zonën e pronës që është objekt i transaksionit. Pagesa e tatimit të kalimit të pronësisë. Tatimi i kalimit të pronësisë do të paguhet para se të realizohet regjistrimi i kalimit të pasurisë në Regjistrin përkatës. Kalimi i pasurive të paluajtshme është i përjashtuar nga TVSH-ja. Tatimi paguhet nga shitësi i cili është një person fizik dhe përbëhet nga 15% të kapitalit të fituar (që vjen si rezultat i llogaritjes së diferencës ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së pasurisë). Investitorët në biznesin e ndërtimve, të cilët janë regjistruar në organet tatimore si persona juridikë, me objekt ndërtimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, nuk janë subjekt i “tatimit” mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë. Ata janë subjekt pagues të “taksës” vendore mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.