Thirrje e hapur për anëtarë të Këshillit Vendor të Rinisë të Bashkisë Shkodër

Bashkia Shkodër, në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 75/2019, “Për rininë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 24/2025, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 75/2019, ‘Për rininë’”, dhe me synimin për të garantuar pjesëmarrjen aktive të të rinjve në vendimmarrje, shpall për të dytën herë Thirrjen e Hapur për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë (KVR).

Qëllimi dhe funksioni i Këshillit Vendor të Rinisë

1. Këshilli vendor i rinisë është organ këshillimor, që funksionon pranë kryetarit të bashkisë. Këshilli vendor i rinisë ushtron kompetencat e mëposhtme:

      a) këshillon njësitë e vetëqeverisjes vendore për drejtimin e politikave dhe planeve vendore për rininë;
      b) vlerëson situatën e të rinjve dhe zbatimin e planeve dhe politikave rinore në nivel vendor;
      c) propozon përmirësime të politikave vendore rinore, si dhe nismat që i përshtaten nevojave të të rinjve në territorin ku veprojnë;
      ç) bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Këshillin Kombëtar të Rinisë;
      d) jep mendim për politikat dhe çështjet e tjera vendore me ndikim mbi të rinjtë, sipas kërkesës së bashkisë.

      2. Këshilli vendor i rinisë përbëhet nga një numër anëtarësh, që llogaritet në një të tretën e numrit në fuqi të anëtarëve të këshillit bashkiak, ku të paktën dy të tretat e anëtarëve përfaqësojnë të rinjtë. Këshilli bashkëkryesohet nga kryetari i bashkisë dhe njëri nga anëtarët e tij, që përfaqëson të rinjtë. Anëtarët e këshillit vendor të rinisë emërohen me urdhër të kryetarit të bashkisë.

      3. Veprimtaria e këshillit vendor të rinisë financohet:

        a) nga bashkia, bazuar në legjislacionin në fuqi;
        b) nga institucioni përgjegjës për rininë, bazuar në këtë ligj dhe në aktet nënligjore të tij.

        4. Kriteret, procedurat e përzgjedhjes dhe kompensimit të shpenzimeve së anëtarëve të këshillit vendor të rinisë, si dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të këshillit vendor të rinisë miratohen me vendim të këshillit bashkiak, duke iu referuar, për aq sa është e mundur, kritereve dhe procedurave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për Këshillin Kombëtar të Rinisë.

        Kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Vendor të Rinisë në Bashkinë Shkodër.

        5. Kandidati për anëtar të KVR-së, përfaqësues i organizatave rinore, duhet të plotësojë këto kritere:

          a) të ketë dhënë kontribut në fushën e rinisë të paktën për 2 (dy) vitet e fundit, nëpërmjet projekteve me fokus rininë apo të zhvillimit të nismave ose të aktiviteteve për promovimin e të rinjve;
          b) të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
          c) të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore.

          6. Kandidati për anëtar të KVR-së, jo përfaqësues i organizatave rinore, duhet të plotësojë këto kritere:

            a) të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
            b) të ketë përvojë pune në fushën e zhvillimit apo të zbatimit të aktiviteteve rinore, apo të ketë qenë pjesë e nismave ose aktiviteteve për promovimin e të rinjve;
            c) të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe të dispozitave ligjore në fuqi.

            7. Kandidati, për t’u emëruar anëtar i KVR-së, duhet të paraqesë, përkatësisht, dokumentacionin si vijon:

              a) kandidati, përfaqësues i organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë:
              i. kërkesën;
              ii. jetëshkrimin;
              iii. fotokopje të dokumenteve që vërtetojnë jetëshkrimin;
              iv. vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj;
              v.vetëdeklarimin e konfliktit të interesit;
              vi. NIPT të organizatës që përfaqëson;
              vii. jetëshkrim të organizatës.

              b) kandidati, jo përfaqësues i organizatave rinore:
              i. kërkesën;
              ii. jetëshkrimin (CV: fotokopje të dokumenteve që vërtetojnë jetëshkrimin); iii. vërtetimin e gjendjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj;
              iv. letër motivimi;
              v.vetë-deklarimin e konfliktit të interesit

              Si të aplikoni

              Të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Këshillit Vendor të Rinisë në Bashkinë Shkodër nga data 07/10/2025 deri më 05/11/2025 tek info@bashkiashkoder.gov.al dhe në cc: info@shkodrarinore.gov.al duke bashkëngjitur dokumentet përkatëse sipas kritereve të përcaktuara.

              E ardhmja e qytetit formohet nga të rinjtë e tij. Jep kontributin tënd dhe bëhu pjesë e ndryshimit!