Në zbatim të programit social të strehimit “Banesa Sociale me Qira” me instrumentin financiar “Subvencionimi i qirasë në tregun e lirë”, referuar ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, i ndryshuar, VKM-së nr. 384, datë 12.6.2019 “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore” dhe VKM-së nr.362, datë 29.5.2019, “Për kriteret e dhënies së subvencionit të qirasë për kategoritë që gëzojnë përparësi në subvencionimin e qirasë në tregun e lirë” në përmbushje të detyrimeve ligjore, Bashkia Shkodër ka shpallur në faqen zyrtare web të internetit www.bashkiashkoder.gov.al, njoftimin për shpalljen në lidhje me aplikimet për programet e strehimit social. Më pas kemi vijuar me fazën e dytë, atë të procedurës së njoftimit shkresor për të gjithë aplikuesit që kanë aplikuar për këtë program, për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit pranë sporteleve të Zyrës me Një Ndalesë të bashkisë.
Nisur nga informacionet, komunikimet, raportimet dhe kërkesat e aplikuesve/qytetarëve, për shkak të festave zyrtare si dhe vonesës së institucioneve përkatëse në lëshimin e dokumentacionit të kërkuar nga aplikantët përmes platformës qeveritare online e-Albania, ka shkaktuar vonesa në respektimin e afateve kohore për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve njoftojmë shtyrjen e afatit kohor deri me datë 17.12.2024, për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar pranë sporteleve të Zyrës me Një Ndalesë.