Ftesë e hapur për projektin “Festival Jazz-i”

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për aktivitetin artistiko-kulturor “Festival Jazz-i”.
Në vendin tonë ai ka filluar të kultivohet prej vitesh nga të rinjtë amator dhe profesionistë.
Kohë pas kohe në Shkodër kanë performuar grupe dhe solistë të ndryshëm, të njohur ndërkombëtarisht dhe të rinj në karrierë, të cilët kanë lënë shenjë dhe janë mirëpritur nga publiku shkodran. Aktivitete të tilla i shërbejnë kultivimit të shijeve muzikore dhe gjithashtu kontribuojnë në rritjen e nivelit të aktiviteteve artistike që organizohen nga Bashkia Shkodër.
Projekti është menduar të mbahet gjatë gjithë muajit gusht 2025, kohë kur prania e turistëve në vendin tonë është e lartë.

Qëllimi i projektit:

Edukimi i spektatorit me muzikën jazz, e cila ka më shumë se 100 vjet histori.
Shkodra të ketë një Festival Jazz-i, të përmasave ndërkombëtare.
Pasurimi i jetës artistike dhe kulturore në territorin e Bashkisë Shkodër.

Aplikimi:

Të drejtën për të aplikuar e kanë:
Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridikë publikë që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qëndrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit :

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 28.04.2025 në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër.
Data e fundit e aplikimeve datë 12.05.2025.
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën datë 14.05.2025.
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 15.05.2025.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentat e tjera të kërkuara tek Protokoll- Arkiva, pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese dhe në rrugë elektronike në adresën: kultura@bashkiashkoder.gov.al;

Fondi limit është 1,500,000 lekë.

Kriteret e kërkuara:

Subjekti që merr përsipër realizimin e këtij Festivali Jazz, duhet të ketë mbi 10 vite eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore.
Subjekti duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla;
Subjekti duhet të ketë bashkëpunime artistike të nivelit të lartë.
Subjekti duhet të ketë eksperiencë në organizimin e eventeve të ngjashme;
Subjekti duhet të jetë i njohur në rrethin artistik dhe më gjërë;
Repertori që do shfaqet për spektatorin duhet të jetë i zhanrit jazz, ku mund të përfshihen grupe apo solistë nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Specifika të tjera për organizimin e aktivitetit:

  1. Aktivitetet do të mbahen në territorin e Bashkisë Shkodër gjatë gjithë muajit gusht 2025.
  2. Ai duhet të përmbajë minimumi 3 koncerte të muzikës jazz.
  3. Festivali preferohet të zhvillohet në oraret e pasdites, në sheshe kryesore të qytetit të Shkodrës, ku spektatorët mund ta arrijnë lehtësisht.
  4. Paraqitja e patentave të njohura ndërkombëtarisht mbi aktivitetin, është kriter vlerësues.
  5. Repertori artistik duhet të jetë i muzikës jazz dhe mund të përformohet nga solistë apo grupe që lëvrojnë këtë rrymë muzikore.
  6. Preferohet pjesëmarrja e të paktën një solisti apo grupi të njohur në këtë rrymë, në mënyrë që aktivitetit te ketë impakt tek spektatori dhe në media.
  7. Preferohet mbajtja e masterklaseve me nxënës dhe studentë përgjatë ditëve të festivalit, i cili duhet të kontribuojë në nxitjen dhe promovimin e kësaj kulture muzikore tek brezat e rinj.
  8. Subjekti duhet të marrë përsipër promovimin e aktivitetit, përmes banerave, ftesave, lajmërimit në media etj. Promovimi i aktivitetit duhet të shpërndahet minimumi 10 ditë para fillimit të tyre, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
  9. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Kulturës, në Bashkinë Shkodër.

Shkarko formularin e aplikimit.