Ftesë e hapur për organizimin e aktivitetit “Festiavali i kulinarisë”

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Festiavali i kulinarisë”.

Përshkrimi i projektit:

Shkodra njihet jo vetëm për natyrën e bukur, por edhe historinë, kulturën, rrugicat karakteristike, si dhe artin e gatimit, që përcillet me aq finesë. Festivali i kulinarisë do të jetë një udhëtim përmes trashëgimisë së pasur gastronomike, kulturore, artistike, historike dhe bukurive natyrore të Shkodrës. Ky festival synon t’i kthejë Shkodrës vendin që i takon në rang kombëtar dhe atë ndërkombëtar, si një qytet ku turizmi zhvillohet mbi rrënjët e forta të traditës dhe pasurive të pafundme të territorrit, ndërthurur me elementet që koha i dikton.

Qëllimi i projektit:

Rritja e numrit të turistëve nëpërmjet promovimit të produkteve lokale dhe traditës së gatimit.

Aplikimi:

  1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko – sportive;
  2. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
  3. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 14/11/2023
Data e fundit e aplikimeve 27/11/2023
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 30/11/2023
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 01/12/2023.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

Fondi limit është1.500.000lek.

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e“Festivalit të kulinarisë”, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
  2. Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.
  3. Vlerësohet cilësia e projektit.

Kritere të tjera:

  1. Në projekt duhet të përfshihen të paktën 10 influencer/blogerë të enogastronomisë të cilët duhet të realizojnë video promovuese të pjatave tradicionale si dhe të atyre ndërkombëtare sipas llojit të menuve të restoranteve të përzgjedhura.
  2. Preferohen bashkëpunimet nga rajoni dhe/apo ndërkombëtare për sjelljen e ekspertëve të fushës.
  3. Në projekt duhet të parashikohet promovimi i resurseve natyrore dhe trashëgimisë kulturore të territorit të Bashkisë Shkodër nëpërmjet degustimeve të ndryshme dhe itinerareve të shijes.
  4. Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes mediave sociale kryesisht, por edhe televizioneve lokale e kombëtare, reklamave televizive etj, në koordinim me Drejtorinë e Turizmit, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
  5. Subjekti duhet të parashikojë të paktën një aktivitet muzikor, me një grup muzikor i cili duhet të performojë live. (Data dhe vendi caktohet në bashkëpunim me Drejtorinë e Turizmit)
  6. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore dhe përcaktimin e datave me Drejtorinë e Turizmit.

Formular aplikimi