Ftesë e hapur për organizimin e aktivitetit “Festa e Liqenit”

Bashkia Shkodër rishpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Festa e Liqenit”.

Përshkrimi i projektit:

“Festa e Liqenit” është një nismë e cila synon të promovojë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave natyrore të liqenit të Shkodrës. Aktivitete të larmishme, për ditën kushtuar liqenit të Shkodrës zhvillohen për çdo vit të cilët fokusohen në aktivitete promovuese social – kulturore, sportive me qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit mjedisor, krijimin e urave të bashkëpunimit mes aktorëve të ndryshëm si dhe promovimin e produkteve rajonale dhe bizneseve lokale të Shkodrës. Me anë të organizimit të këtij aktiviteti Bashkia synon të ruajë dhe të forcojë këtë traditë me qëllim tërheqjen e vizitorëve dhe ndërgjegjësimin qytetar për vlerat ekoturistike, ekonomike dhe mjedisore të liqenit të Shkodrës.

Qëllimi i projektit:

Promovimi i aktiviteteve sportive ujore në liqenin e Shkodrës si edhe vlerave të biodiversitetit të Liqenit të Shkodrës.

Aplikimi:

  1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko – sportive;
  2. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
  3. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Rishpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 06.06.2024.
Data e fundit e aplikimeve 20.06.2024.
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 21.06.2024.
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 23.06.2024.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

Fondi limit është 1.000.000lek.

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e Festa e Liqenit, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
  2. Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.
  3. Vlerësohet cilësia artistiko – sportive e projektit.

Kritere të tjera:

  1. Në projekt duhet të parashikohet zhvillimi i nje aktivitet artistik dhe minimumi i tre garave të notit me ekipet përkatëse sipas garave.
  2. Ekipet duhet të kenë në përbërjen e tyre notarë nga shkollat e qytetit dhe të ekipeve zinxhir.
  3. Për zhvillimin e garave, duhet të jenë të marra paraprakisht të gjitha masat e sigurisë (varkat e shpëtimit, ambulanca, policia).
  4. Për zhvillimin e garave duhet të sigurohet e gjithë infrastruktura e nevojshme (ndarja e korsive të notit me bova, konopë dhe tapa të dallueshme).
  5. Gjykimi i garave të realizohet nga gjyqtarë profesionistë të licensuar.
  6. Për garat me kanoe duhet të sigurohen minimalisht 15 kanoe me lopatat perkatëse.
  7. Për garat me windsurf dhe veliera duhet të sigurohen/merren me qera përkatësisht 2/2 të tilla.
  8. Për garat wakeboard veliera duhet të sigurohen/merren me qera përkatësisht 4 të tilla.
  9. Të sigurojë shërbimin e fonisë dhe moderatorit gjatë gjithë kohës që do zhvillohet aktiviteti
  10. Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë e Turizmit, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
  11. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Turizmit

Shkarko formularin.