Ftesë e hapur për organizimin e aktivitetit “Dita e Biçikletave”

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Dita e Biçikletave”.

Përshkrimi i projektit:

Shkodra cilësohet si qyteti me përdorimin më të madh të biçikletës, me një traditë të hershme të përdorimit të saj që zë fill që në shekullin e 19. Gjithashtu Shkodra renditet në 10 qytetet që përdorin më shumë biçikletën në shkallë europiane. Gjatë periudhës së dikataturës biçikleta ishte mjeti kryesor i transportit në Shkodër pasi numri i makinave ishte shumë i kufizuar. Me ardhjen e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik numri i makinave ka ardhur vazhdimisht në rritje duke kërcënuar kështu zbehjen e kësaj tradite. Gjithashtu rritja e numrit të makinave rrezikon edhe ndotjen e ajrit nga gazrat dhe elementëve të tjerë të mjedisit nga mbetjet e tyre. Me organizimin e ditës së biçikletave dhe shndërrimin e saj në një festë të përvitshme synohet jo vetëm ripërtëritja e traditës si edhe promovimi i mënyrës së shëndetshme të jetesës, por edhe gjallërimi i jetës kulturore të qytetit duke rritur atraktivitetin e tij.

Qëllimi i projektit:

Promovimi i përdorimit të biçikletës dhe gjallërimi i jetës social-kulturore të Shkodrës.

Aplikimi:

  1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko – sportive;
  2. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
  3. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 21.05.2024
Data e fundit e aplikimeve 04.06.2024
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 06.06.2024
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 07.06.2024.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

Fondi limit është 500.000lek.

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e “Dita e Biçikletave”, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
  2. Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.
  3. Vlerësohet cilësia e projektit.

Kritere të tjera:

  1. Në projekt duhet të parashikohen aktivitete për evidentimin dhe vlerësimin e biçikletave të reja dhe të trashëguara në kohë (panair, ekspozitë, konkurs).
  2. Preferohen bashkëpunimet me operatorë/organizata të rajonit si Kosovë, Mali i Zi, etj.
  3. Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë e Turizmit, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
  4. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Turizmit.

Shkarko Formularin.