Ftesë e hapur – Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, edicioni 64 – të

Bashkia Shkodër, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija”, shpall hapjen e konkursit për pranimin e këngëve në edicionin e 64-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë.
Festivali do të zhvillohet në Shkodër më datat 30 dhe 31 maj, si dhe 1 qershor 2026.
Ftojmë të gjithë krijuesit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora të dërgojnë krijimet e tyre, duke ndjekur kriteret e mëposhtme:

  1. Versioni përfundimtar i këngës së kënduar (në format WAV 16 bit, 44.1 kHz)
  2. Versioni përfundimtar i bazës orkestrale (në format WAV 16 bit, 44.1 kHz)
  3. Partitura vokale me nota për solistin dhe korin, e shoqëruar me tekstin përkatës në çdo masë (në format PDF, dhe mundësisht edhe si file që lejon redaktimin nga programi ku është shkruar)
  4. Teksti i këngës (në Word ose PDF)
  5. Të dhënat e këngëtarit/es që do ta interpretojë këngën (emër, mbiemër, moshë dhe një foto)
  6. Certifikatë personale e fëmijës (bashkëngjitur me të dhënat e këngëtarit/es)

Mosha e lejuar e këngëtarëve pjesëmarrës është 5-14 vjeç.

Në festival garohet me dy kategori sipas grupmoshës dhe përzgjedhja realizohet veçmas dhe në mënyrë të barabartë për secilën kategori.

  • 5–8 vjeç (Të vegjlit)
  • 9–14 vjeç (Junior)

Afati i fundit për dorëzimin e këngëve: 6 mars 2026

Dërgimi i materialeve bëhet në e-mailin zyrtar:
qendrakulturoreefemijeve.kujtimalija@bashkiashkoder.gov.al

Përzgjedhja dhe informimi:

Një juri profesionistësh do të shqyrtojë të gjitha këngët e ardhura.
Komisioni përzgjedhës do të ketë në dispozicion mjetet dhe aplikacionet përkatëse për të verifikuar autenticitetin dhe vërtetësinë e materialeve të dorëzuara. Çdo shkelje e këtij kriteri përbën shkak për skualifikim nga procesi i përzgjedhjes.

Grupi organizator i Festivalit vë në dijeni të gjithë krijuesit dhe aplikantët se çdo element artistik i paraqitur në kuadër të projektit duhet të respektojë të drejtat e autorit dhe të jetë krijim origjinal, pa ndërhyrje apo përdorim të Inteligjencës Artificiale.

Krijuesit që do të vijojnë garën në netët e festivalit do të njoftohen me e-mail më 16 mars 2026, si edhe në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër.