Ftesë e hapur

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Shkodra, histori dhe magji ne çdo hap- promovim në lëvizje”.

Përshkrimi i projektit:

Territori i Bashkisë Shkodër, përfaqëson një nga zonat më të pasura dhe të larmishme turistike në Shqipëri, duke ofruar një përzierje unike të trashëgimisë kulturore, bukurive natyrore, historisë mijëvjeçare dhe mikpritjes tradicionale shqiptare. Strategjia e promovimit të turizmit në territorin e saj synon të vendosë Shkodrën në hartën ndërkombëtare si një destinacion i kompletuar, autentik dhe gjithëvjetor. Ky projekt synon krijimin e një instalacioni ndriçimi artistik në rrugën Gjuhadol në Shkodër, me qëllim rigjallërimin kulturor dhe estetik të një prej hapësirave më historike të qytetit. Ndërhyrja bazohet në një koncept të thjeshtë dhe poetik urban, ku drita dhe fjala bashkohen për të krijuar një përvojë të re për kalimtarët.
Projekti parashikon instalimin e 6 deri në 8 elementeve ndriçuese LED që shfaqin vargje të përzgjedhura nga kënga tradicionale Luleborë, të vendosura në mënyrë lineare përgjatë rrugës. Këto elemente do të krijojnë një rrëfim vizual që shoqëron lëvizjen e qytetarëve në hapësirë.
Në hyrje të rrugës do të vendoset një hark minimal dekorativ me ndriçim të ngrohtë LED, i cili shërben si identifikues simbolik i hapësirës. Ndriçimi përgjatë gjithë segmentit do të jetë statik, me intensitet të ulët dhe i integruar me karakterin historik të zonës, duke shmangur ndërhyrjet vizuale të forta.
Instalacioni synon të përmirësojë eksperiencën urbane, të forcojë identitetin kulturor të qytetit dhe të kontribuojë në rritjen e atraktivitetit turistik të zonës Gjuhadol përmes një ndërhyrjeje të thjeshtë, të qëndrueshme dhe estetike.

Qëllimi i projektit:

Qëllimi i projektit është krijimi i një instalacioni ndriçimi artistik në Gjuhadol në Shkodër për të promovuar identitetin kulturor dhe për të gjallëruar hapësirën publike përmes dritës dhe vargjeve të këngës Luleborë ose te ndone kenge tjeter shkodrane.

  1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
  2. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
  3. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë: 30/04/2026.
Data e fundit e aplikimeve: 14/05/2026.
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën: 20/05/2026.
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë: 21/05/2026.

Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese dhe në rrugë elektronike në adresën turizmi@bashkiashkoder.gov.al

Fondi limit është 500.000 ALL

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e kwtij projekti, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
  2. Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.

Kritere të tjera:

  1. Vendosjen e 8-10 vargjeve të ndriçuara LED përgjatë rrugës Gjuhadol, së bashku me një hark hyrës minimal dhe ndriçim dekorativ statik për të krijuar një atmosferë estetike dhe të qëndrueshme. Gjithashtu përfshin infrastrukturë elektrike bazike dhe të sigurt, me lidhje në rrjetin ekzistues publik dhe pajisje standarde mbrojtëse.
  2. Pamja vizuale dhe përvoja duhet të jetë tërheqëse, duke pasur parasysh kufizimet e hapësirës dhe vendi final të përcaktohet në dakortësi të plotë me Drejtorinë e Turizmit të Bashkisë Shkodër.
  3. Projekti duhet të respektojë karakterin historik të zonës Gjuhadol.
  4. Elementet e ndriçimit duhet të jenë minimaliste dhe jo intruzive vizualisht.
  5. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Turizmit.

Formulari i aplikimit.