Ftesë e hapur

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për aktivitetin “KUPA E IKONAVE”.

Përshkrimi i projektit:

Në kuadër të nderimit të figurave të cilët kanë shkruar historinë e atletikës në qytetin e Shkodrës, Bashkia Shkodër synon të organizojë aktivitetin Kupa e Ikonave.
Aktiviteti do të jetë i hapur për të gjitha moshat, gjinitë dhe nacionalitetet pa kufizime. Të jetë pjesë e kalendarit të Federatës Shqiptare të Atletikës si dhe I akredituar nga kjo federatë, e gjithashtu do të jetë I regjistruar në IAAF (Federata Ndërkombetare e Atletikës).

Qëllimi i projektit:

  1. Nderimi dhe vlerësimi i ikonave të atletikës shkodrane:
    Aktiviteti synon të vlerësojë dhe të promovojë figurat që kanë dhënë kontribut të shquar në historinë e atletikës së qytetit të Shkodrës, duke ruajtur dhe përcjellë trashëgiminë sportive tek brezat e rinj.
  2. Promovimi i atletikës dhe pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse:
    “Kupa e Ikonave” synon të nxisë pjesëmarrjen në sport për të gjitha grupmoshat, gjinitë dhe nacionalitetet, duke promovuar barazinë, përfshirjen sociale dhe frymën sportive.
  3. Rritja e nivelit sportiv dhe organizativ të eventeve lokale:
    Përfshirja e aktivitetit në kalendarin e Federatës Shqiptare të Atletikës dhe regjistrimi në IAAF synon të garantojë standarde profesionale organizimi dhe të rrisë cilësinë sportive të eventit.
  4. Promovimi i Shkodrës si qytet me traditë sportive:
    Përmes organizimit të këtij aktiviteti, synohet promovimi i qytetit të Shkodrës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si një qendër me histori dhe traditë të pasur në atletikë dhe sport.
  5. Nxitja e turizmit sportiv dhe zhvillimit ekonomik lokal:
    Pjesëmarrja e sportistëve, trajnerëve dhe vizitorëve nga qytete dhe vende të ndryshme do të kontribuojë në zhvillimin e turizmit sportiv dhe gjallërimin ekonomik të qytetit përmes rritjes së kërkesës për akomodim, gastronomi dhe shërbime të tjera lokale.
  6. Frymëzimi i brezave të rinj përmes modeleve sportive:
    Aktiviteti synon të krijojë ura lidhëse mes brezave, duke i njohur të rinjtë me historinë dhe sukseset e sportistëve ikonë të atletikës, si motivim për përfshirje aktive në sport dhe jetë të shëndetshme.
    Duke organizuar një aktivitet të tillë, Bashkia Shkodër synon jo vetëm jë promovojë sportin dhe shëndetin, por gjithashtu të kontribuojë në ndërtimin e një komuniteti më të fortë dhe të bashkuar.

Aplikimi:

  1. Kërkesa për mbështetje financiare
  2. Përshkrimi i detajuar i projektit (qëllim, objektiva, kalendar aktivitetesh me grafikun kohor të realizimit, përfituesit direkt dhe indirekt nga projekti);
  3. Formulari i aplikimit (I plotësuar sipas të gjitha pikave të nevojshme);
  4. Dokumentat e subjektit aplikues (vendim gjykate, statut, akt-themelimi dhe Nipt të përditësuar dhe CV te subjektit aplikues).
  5. Vërtetim që nuk është në proces falimentimi/likujdimi ose që është me status aktiv;
  6. Vërtetim që nuk ka detyrime të papaguara nga e-albania;
  7. IBAN i llogarisë bankare në LEKË origjinal me vulë nga banka (i përditësuar);
  8. Preventivi i përgjithshëm me të gjithë zërat e realizimit të projektit (duke shënuar donatorët përkatës nëse ka)
  9. Fotokopje e mjetit identifikues (kartë identiteti ose pasaportë);
  10. Letër mbështetje nga federata shqiptare e sportit përkatës;
  11. Deklaratë për të ardhurat e projektit (deklaratë e cila merr përsipër se të ardhurat e përfituara shkojnë për realizimin e aktivitetit dhe jo për përfitime vetjake)
  12. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 30/04/2026.
Data e fundit e aplikimeve 14/05/2026.
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 20/05/2026.
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 21/05/2026.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftesë, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

Fondi limit është 250.000 lekë

Kriteret e kërkuara:

Operatori/shoqata që merr përsipër realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve sportive të këtij lloji të paktën 2 vite.
Operatori/shoqata duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në aktivitete sportive të tilla ose të ngjashme;
Vlerësohet cilësia e projektit.
Shoqata nuk është degë/zyrë e organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare, dhe organizatat të tjera ndërkombëtare jo-fitimprurëse të regjistruara për të punuar në Shqipëri;
Shoqata nuk është subjekt i ndonjë konflikti të interesit, sikurse parashikuar në dispozitat e Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Më konkretisht, përjashtohen nga vlerësimi ato projekte, në të cilat: Drejtori ekzekutiv, anëtarët e bordit apo personat e planifikuar për tu përfshirë në projekt janëtë punësuar në bashkinë apo institucionet e saj të vartësisë në të cilën aplikohet, në pozicionet: Zyrtari i nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas legjislacionit të shërbimit civil si dhe anëtari Këshillit Bashkiak, anëtar i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Kritere të tjera:

Aktiviteti duhet të zgjasë 1 ditë dhe të ketë pjesëmarrje ndërkombëtare.
Operatori/shoqata merr përsipër krijimin e eventit ne platformat zyrtare të federatave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe organizimin teknik te aktivitetit.
Aplikanti duhet të ketë eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare
Aktiviteti duhet të ketë system për matjen e kohës elektronik.
Aktiviteti duhet të zhvillohet në zonat qëndrore të qytetit të Shkodrës.

Formulari i aplikimit.