Ftesë e hapur

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për aktivitetin “KAMPIONATI KOMBËTAR I GJIMNASTIKËS”

Përshkrimi i projektit:

Në kuadër të titullit ‘Shkodra Qyteti Evropian I Sportit 2025’ si dhe promovimit të sportit të gjimnastikës në qytet, Bashkia Shkodër synon të organizojë aktivitetin Kampionati Kobëtar I Gjimnastikës
Aktiviteti do të jetë I hapur për të gjitha moshat, gjinitë dhe nacionalitetet pa kufizime. Të jetë pjesë e kalendarit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës si dhe I akredituar nga kjo federatë, e gjithashtu do të jetë I regjistruar në FIG (Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës). Gjyqtaria do të jetë zyrtare me gjyqtarë të liçensuar nga Federata Shqiptare të Gjimnastikës.

Qëllimi i projektit:

  1. Promovimi i sportit dhe jetesës së shëndetshme
    Ky aktivitet synon të inkurajojë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të angazhohen në sport, duke përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
  2. Zhvillimi i sportit në nivel local
    Duke organizuar një turne kombëtar, krijohen mundësi për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në gjimnastikë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytet.
  3. Forcimi i lidhjeve komunitare
    Eventi ofron një platformë për ndërveprim social, duke ndihmuar në ndërtimin e një ndjenje përkatësie dhe solidariteti mes banorëve të Shkodrës dhe pjesëmarrësve nga qytete të tjera.
  4. Nxitja e turizmit dhe ekonomisë lokale
    Pjesëmarrja e sportistëve dhe vizitorëve nga zona të ndryshme pritet të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë lokale përmes rritjes së konsumit në hotele, restorante dhe biznese të tjera.
  5. Përfshirja sociale dhe barazia
    Aktiviteti synon të jetë gjithëpërfshirës, duke ofruar mundësi për pjesëmarrje të barabartë për të gjithë, pavarësisht moshës, gjinisë apo aftësive fizike.

Aplikimi:

  1. Kërkesa për mbështetje financiare
  2. Përshkrimi i detajuar i projektit (qëllim, objektiva, kalendar aktivitetesh me grafikun kohor të realizimit, përfituesit direkt dhe indirekt nga projekti);
  3. Formulari i aplikimit (I plotësuar sipas të gjitha pikave të nevojshme);
  4. Dokumentat e subjektit aplikues (vendim gjykate, statut, akt-themelimi dhe Nipt të përditësuar dhe CV te subjektit aplikues).
  5. Vërtetim që nuk është në proces falimentimi/likujdimi ose që është me status aktiv;
  6. Vërtetim që nuk ka detyrime të papaguara nga e-albania;
  7. IBAN i llogarisë bankare në LEKË origjinal me vulë nga banka (i përditësuar);
  8. Preventivi i përgjithshëm me të gjithë zërat e realizimit të projektit (duke shënuar donatorët përkatës nëse ka)
  9. Fotokopje e mjetit identifikues (kartë identiteti ose pasaportë);
  10. Deklaratë për të ardhurat e projektit (deklaratë e cila merr përsipër se të ardhurat e përfituara shkojnë për realizimin e aktivitetit dhe jo për përfitime vetjake)
  11. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 28/04/2025
Data e fundit e aplikimeve 12/05/2025
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 14/05/2025
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 15/05/2025
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër

Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftesë, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.

Fondi limit është 850.000 lekë

Kriteret e kërkuara:

  • Operatori/shoqata që merr përsipër realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë në zhvillimin e aktiviteteve sportive.
  • Operatori/shoqata duhet të ketë në CV-në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në aktivitete sportive të tilla ose të ngjashme;
  • Vlerësohet cilësia e projektit.
  • Shoqata nuk është degë/zyrë e organizatave dhe fondacioneve ndërkombëtare, dhe organizatat të tjera ndërkombëtare jo-fitimprurëse të regjistruara për të punuar në Shqipëri;
  • Shoqata nuk është subjekt i ndonjë konflikti të interesit, sikurse parashikuar në dispozitat e Ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, i ndryshuar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Më konkretisht, përjashtohen nga vlerësimi ato projekte, në të cilat: Drejtori ekzekutiv, anëtarët e bordit apo personat e planifikuar për tu përfshirë në projekt janëtë punësuar në bashkinë apo institucionet e saj të vartësisë në të cilën aplikohet, në pozicionet: Zyrtari i nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues sipas legjislacionit të shërbimit civil si dhe anëtari Këshillit Bashkiak, anëtar i kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Kritere të tjera:

  • Aktiviteti duhet të zgjasë të paktën 2 ditë dhe të ketë pjesëmarrje kombëtare të të gjitha moshave
  • Aplikanti merr përsipër krijimin e eventit ne platformat zyrtare dhe organizimin teknik te aktivitetit.
  • Aktiviteti duhet të zhvillohet në një nga zonat qëndrore të qytetit të Shkodrës.

Shkarko formularin e aplikimit.