Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për realizimin e një videoje promovuese të marrdhënies së Shkodrës me trojet e tjera shqipfolëse, në kuadër të aktiviteteve për javën e pavarësisë dhe çlirimit.
Përshkrimi i projektit:
Java e Pavarësisë dhe Çlirimit në Shkodër, festohet përmes veprimtarive të parashikuara që më parë lidhur me eskpozita e konkurse në Muzeun e Historisë dhe Galerinë e Arteve. Këtë vit do të synojmë që gjatë kësaj jave, përmes një videojedokumentar, të sjellim në vëmendje të publikut rolin e Shkodrës në marrdhënie me trojet e tjera shqiptare.
Për këtë qëllim Bashkia Shkodër përmes Drejtorisë Ekonomike të Kulturës shpall thirrjen për krijimin e një video dokumentar mbi historitë, traditat e mbi të gjitha njerëzit që kanë sjellë Shkodrën e Kosovën kaq pranë njëra tjetrës.
Video me minutazh rreth 10 minuta duhet konceptuar si një mjet informues mbi urat kulturore e sociale që kanë lidhur këto dy vende ndër vite. Nëpërmjet rrëfimeve të shkurta videoja duhet të na krijojë një hartë më të gjerë mbi shqiptarët e Kosovës që janë shpërngulur në Shkodër apo shkodranët që janë mirëpritur në Kosovë ku ende sot jetojnë e punojnë. Përmes videos duhet të njihemi po aq me njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre nga të dyja anët e kufirit, si një akt patriotik nëpërmjet historisë, artit e kulturës.
Qëllimi i projektit: Përmes fakteve historike e rrëfimeve të ndjera që do të realizohen në të dy vendet publiku do të vetdijësohet se çfarë na bashkon vërtetë janë njerëzit e se Shkodra e Kosova e kanë fatin e ndërlidhur në mënyra të pashmangshme.
Aplikimi:
- Të drejtën për të aplikuar e kanë:
a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko – sportive; - Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
- Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.
Nuk mund të aplikojnë:
Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetëfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.
Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:
Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë 14/ 11/2023
Data e fundit e aplikimeve 27/11/2023
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën 30/11/2023
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë 1/12/2023.
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.
Dorëzimi i dokumentacionit:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese, i cili duhet të plotësohet në mënyrë elektronike.
Fondi limit është 1.000.000 lekë.
Kriteret e kërkuara:
- Operatori që merr përsipër realizimin e videos, duhet të sigurojë bashkëpunim me institucione të autorizuara për të marrë fakte e dokumente të provuara historikish.
- Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në evente të tilla.
- Vlerësohet cilësia e projektit, promovimi i tij dhe cv e personave te përfshirë në të.
Kritere të tjera:
- Videja duhet të prodhohet me të drejtat e plota të autorit dhe me një kohëzgjatje 8-15 minuta.
- Preferohen bashkëpunimet me institucione të tjera të interesuara në këtë fushë.
- Në projekt duhet të parashikohet organizimi i aktiviteteve për promovimin e videos dhe një plan i qartë i shpërndarjes së saj.
- Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, televizioneve lokale e kombëtare, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë Ekonomike të Kulturës, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
- Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë Ekonomike të Kulturës.