Shqipëria është një nga 182 shtetet anëtare të ILO-s nga 1920 deri në 1967, dhe u rianëtarësua përsëri në 1991. Si një shtet anëtar i ILO-s, ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitetet e organizatës dhe të dërgojë çdo vit përfaqësues në Konferencën Ndërkombëtare të Punës.
Kuadri Ligjor
Akti kryesor ligjor që rregullon marrëdhënien e punës në Shqipëri është “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Akte të tjera ligjore janë: Ligji Nr. 7995, datë 20.9.1995 “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar, Ligji Nr.15/2017 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, Ligji Nr.10237, datë 18.2.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, Programet për nxitjen e punësimit në rang kombëtar si dhe Strategjia për Punësim dhe Aftësi 2014-2020.
Kontrata e punës
Marrëdhëniet e punës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit rregullohen nga kontrata e punës, në bazë të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë. Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejta dhe detyrime për palët. Kontrata e punës lidhet: për një kohëzgjatje të pacaktuar; për një kohëzgjatje të caktuar. Si rregull, kontrata e punës lidhet për një periudhë të pacaktuar. Lidhja e kontratës së punës për një periudhë të caktuar duhet të justifikohet me arsye objektive, që lidhen me natyrën e përkohshme të detyrës, në të cilën punëmarrësi do të punësohet.
Kohëzgjatja e punës
Me kohëzgjatje të punës kuptohet koha gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit. Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë. Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë. Çdo orë pune e kryer nga ora 19:00 deri në 22:00 jep të drejtën e një shtesë mbi pagë jo më pak se 20%, dhe çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 dhe 6:00 jep të drejtën e një shtesë mbi pagë jo më pak se 50%. Kur rrethanat kërkojnë kryerjen e orëve shtesë, në bazë të Kodit të Punës, punëmarrësi nuk duhet të kryejë orë shtesë kur ka kryer 50 orë në javë. Orët shtesë duhet të paguhen me një bonus prej 25% të pagës normale ose të kompensohen me ditë pushimi.
Kohëzgjatja e pushimeve
Pushimi javor është jo më pak se 36 orë, prej të cilave 24 orë pa ndërprerje. Si rregull ndalohet puna në ditët e festave zyrtare, të cilat përcaktohen çdo vit nga qeveria Shqiptare. Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në ditët e festave zyrtare. Kur dita e festës zyrtare bie në ditët e pushimit javor, pushimi shtyhet ditën e hënë. Puna e kryer ditën e pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25% ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25% të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj. Punonjësit kanë të drejtën e pushimeve vjetore, përveç festave zyrtare. Kohëzgjatja e pushimeve vjetore të paguara përcaktohen në kontratën e punës. Kohëzgjatja e pushimeve vjetore është jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim. Në rastin e martesës ose vdekjen e ndonjë prej bashkëshortëve, nga paraardhësit e tij/saj të drejtpërdrejta dhe pasardhësve, punëmarrësi përfiton 5 ditë pushimi ditore të paguar. Në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose të pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, të vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shumë se 30 ditë pushim të papaguar. Në rast lindjeje fëmijë, bashkëshorti/bashkëjetuesi përfiton 3 ditë pushim të paguar.
Paga
Me pagë kuptohet paga bazë, si dhe shtesat me karakter të përhershëm. Nuk konsiderohen si pjesë përbërëse të pagës shpërblimet që merr punëmarrësi për shpenzimet e kryera për shkak të veprimtarisë të tij profesionale. Punëdhënësi jep të njëjtën pagë si për gratë edhe për burrat që kryejnë punë me vlerë të barabartë. Paga minimale për punonjësit të cilët kanë një kontratë pune në nivel kombëtar është 26,000 lekë dhe paga mesatare mujore për punonjësit është 46,829 lekë. Paga maksimale mujore është 105,850 lekë për personat e punësuar dhe për personat e vetëpunësuar.
Përfundimi i kontratës së punës
Për ndërprerjen e kontratës së punës merret në konsideratë nëse kontrata është lidhur me kohëzgjatje të caktuar apo të pacaktuar. Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit. Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.
Kodi i Punës ka parashikuar dy mënyra për ndërprerjen e kontratës:
• Ndërprerjen normale (duke respektuar afatet dhe procedurat e përcaktuara)
• Ndërprerjen e menjëhershme të kontratës (pa respektuar afatet e njoftimit). Në rast të ndërprerjes së kontratës së punës për një periudhë të pakufizuar, palët njoftojnë njëra-tjetrën me anë të dhënies së njoftimit me shkrim për:
• Një muaj gjatë vitit të parë të punës;
• Dy muaj në qoftë se punonjësi ka punuar për njësinë ekonomike për më shumë se 3 deri në 5 vjet.
• Tre muaj në qoftë se punonjësi ka punuar për njësinë ekonomike për më shumë se 5 vjet.
Taksat, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
Sipas ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë“ dhe ligjit nr. 184/2013 datë 28.12.2013, punëdhënësit dhe punëmarrësit janë të detyruar të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas normave të paraqitura më poshtë.
Vlera e kontributit | Sigurimi shoqëror | Sigurimi Shëndetësor |
Paguar nga punëdhënësi | 15% | 17% |
Paguar nga punëmarrësi | 9.5% | 17% |
Paguar nga personat e vetëpunësuar | 23% | 34% |