Pozita gjeografike
Bashkia Shkodër shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë në një territor prej 873 km², i cili kufizohet në veri me Bashkinë e Malësisë së Madhe, në perëndim me Malin e Zi, në lindje me Bashkinë Tropojë, në jug me Bashkinë Vau i Dejës dhe një pjesë e saj me Bashkinë Lezhë. Ajo përbëhet nga 11 njësi të qeverisjes vendore (Shkodër, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Postribë, Pult, Rrethina, Shalë, Shosh dhe Velipojë). Me një ekosistem të larmishëm (Liqeni i Shkodrës, lumët Drin, Kir, si dhe kurora malore), shumë pranë detit Adriatik dhe pika më e afërt e transitit të tregut të Bashkimit Europian.
Forcë pune profesionale me paga konkurruese
Kostot e punës në Shqipëri, dhe në Shkodër janë akoma nga më të ulëtat në rajon. Aktualisht në Shkodër ka një numër të lartë forca pune të specializuar kjo falë prezencës së shkollave profesionale dhe kurseve të ndryshme të formimit. Popullsia në moshë të re, prania e universitetit si dhe njohuritë e gjuhëve të huaja si italisht, anglisht dhe gjermanisht, japin një tjetër avantazh për investuesit e huaj dhe vendas, të cilët do të gjejnë mbështetje në këto kapitale njerëzore. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar varion sipas sektorëve të ekonomisë.
Resurset natyrore
Sistemi hidrografik “Liqeni i Shkodrës – Lumi Drin – Lumi Buna”, grumbullon ujërat e një pellgu me sipërfaqe të përgjithshme prej 19.582 km². Në këtë rrjet përfshihen: Liqeni i Shkodrës, lumet Drin, Bunë, Kir e Gjadër. Veçanti në këtë aspekt përbën delta e lumit Bunë me ishujt e saj karakteristikë aluvionale. Të para në aspektin e biodiversitetit dhe produktivitetit natyror, rrjeti hidrik, e sidomos ai hidrografik i Shkodrës, ka vlera të veçanta e pothuajse unikale. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik, me një sipërfaqe prej 368 km² nga të cilat 149 km² shtrihet në territorin Shqiptar dhe pjesa tjetër në Malin e Zi. Nga pikëpamja shkencore dhe njohuritë mbi liqenin, informacioni mbi biodiversitetin e tij është i pasur duke u konsideruar një rezervë biogjenetike me rëndësi europiane. Velipoja dhe plazhi i saj – Përmendim këtu plazhin me gjatësi 14 km gjerësi rreth 300 m. Rëra e pashfrytëzuar dhe me aftësi shëruese si dhe uji i pastër, bëjnë që Velipoja të frekuentohet çdo vit e më tepër nga pushues vendas dhe të huaj. Vendimi nr. 682, datë 2.11.2005 që shpall lumin Bunë dhe territoret ligatinore rreth tij “Peisazh ujor/tokësor i mbrojtur” ku hynë dhe ishulli i Franc Jozefit, rezervati i Velipojës, laguna e Vilunit, plazhi i Baks – Rrjollit dhe kënetë e Domnit është një tjetër avantazh për zhvillimin e turizmit në Velipojë.
Parku Kombëtar i Thethit
Zona e Thethit ka një sipërfaqe prej 2.630 ha, nga të cilat 1.680 hektarë janë pyje dhe pjesa tjetër janë kullota dhe sipërfaqe shkëmbore. Ai është shpallur tashmë “Park kombëtar” dhe mbikëqyret nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Thethi është i vetmi park kombëtar në qarkun e Shkodrës dhe i dyti për nga madhësia e parqeve kombëtare në Shqipëri pas Dajtit. Thethi ka rreth 70 burime ujore, me cilësi të lartë të ujit dhe të pastërtisë. Flora dhe fauna e zonës janë mjaft të pasura, me 1,100 lloje bimësh, që përbëjnë gati 1/3 e specieve bimore në vend.
Bashkia Shkodër ka një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore me një cilësi boniteti të lartë. Në përputhje me regjistrin e tokave, Bashkia Shkodër disponon 87,300 ha tokë gjithsej. Me zbatimin e reformës së re administrative territoriale, pyjet dhe kullotat iu transferuan bashkisë së Shkodrës. Nga sipërfaqja e përgjithshme (përfshirë edhe zonat e mbrojtura), prej 52,520 ha, Bashkisë Shkodër i është transferuar sipërfaqja prej 43,806 ha, nga të cilat: pyje 30,992 ha, kullota 5377 ha, sipërfaqe jo produktive 5,556 ha, tokë djerrë 1,029 dhe bimësi pyjore 851.5 ha. Në këtë sipërfaqe gjenden të gjitha kategoritë e pyllit si pyll i rallë, pyll i dendur, shkurre të rrallë, shkurre të dendur dhe livadhe e kullota. Ndërkohë përsa i përket prodhimit, mund të thuhet se në Shkodër ka një larmishmëri kulturash bujqësore të cilat prodhohen në territorin e bashkisë në periudha të ndryshme kohore.