Procedurat e bërjes së kërkesave, ankesave dhe vërejtjeve

Bashkia Shkodër ka ngritur njësinë përgjegjëse të sinjalizimit në referencë të ligjit Nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.
Sinjalizues është individ, i cili aplikon ose është në marrëdhënie pune, ose ka punuar më parë pranë autoritetit publik Bashkia Shkodër dhe institucionet në vartësi të saj, pavarësisht nga natyra e marrëdhënieve të punës ose kohezgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo, që sinjalizon një veprim ose praktikë të dyshuar korrupsioni.
Çdo person, i cili vihet në dijeni për veprime ose praktika të dyshuara si: çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me to.

Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre. Sinjalizimi përmban të paktën:
a) të dhënat e identitetit të sinjalizuesit;
b) të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit;
c) përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur;
ç) referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit;

Në rastet kur sinjalizimi nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes të mësipërme, sinjalizuesit i kërkohet me shkrim të korrigjojë këto të meta brenda 7 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për korrigjim.
Sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
Sinjalizimet regjistrohen në një regjistër të posaçëm protokolli dhe elektronik për regjistrimin e sinjalizimeve.
Njësia përgjegjëse brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkësës, vendos me akt të ndërmjetëm të arsyetuar për riparimin e pasojave të paligjshme nga akti i hakmarrjes. Në rast të shkeljes së këtij afati, kërkesa e sinjalizuesit paraqitet tek ILDKPKI-ja, që vendos brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës për riparimin e pasojave të paligjshme të aktit të hakmarrjes.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së një kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja, njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e pretendimit dhe emrin e personit pranë Njësisë Përgjegjëse të Sinjalizimit, i cili do të ndjekë çështjen. Përmbajtja e rregjistrit të posaçëm për këtë qëllim përcaktohet me urdhër të veçantë të Inspektorit të Përgjithshëm.
Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit heton administrativisht sinjalizimin, në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligjin nr. 60/2016. Për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj, Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit zbaton dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit ka të drejtë të kërkojë informacione dhe dokumente, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë deklarata ose të pyesë persona në dijeni ose rrethanat e çështjes ose të konsultohet me ekspertë të fushave të ndryshme.

Në hetimin administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo person tjetër i tretë, kur dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë dhe të sinjalizuarin, nëse vlerësohet e nevojshme nga Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit.

Çdo palë pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet një proces i rregullt, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe: mund të japë deklarata me shkrim, argumente ose opinione; mund të konsultohet me dosjen e hetimit; ka të drejtë të dëgjohet në lidhje me pretendimet e tij.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në përgjigje të sinjalizimit jo më vonë se 30 ditë nga momenti i kryerjes së veprimit. Pavarësisht nga afati i njoftimit të parashikuar në këtë pikë, Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit është e detyruar t’i përgjigjet brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për informacion, të paraqitur me shkrim nga sinjalizuesi, në çdo kohë, në lidhje me çështjen e sinjalizuar prej tij.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit merr masa të menjëhershme, të çastit dhe për aq sa është e mundur, për të parandaluar ose penguar vazhdimin e pasojave të dëmshme nga veprimi ose praktika e dyshuar e korrupsionit të sinjalizuar.

Nëse në përfundim të hetimit administrativ nga Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit rezulton se veprimi ose praktika e dyshuar e sinjalizuar përbën ose mund të përbëjë një shkelje administrative, sipas ligjit, Përgjegjësi Njësisë Përgjegjëse të Sinjalizimit sipas rastit, vë në dijeni organin kompetent.

Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit përfundon hetimin administrativ nëse: gjatë hetimit rezulton se sinjalizimi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit është i bazuar. Në këtë rast, Njësia Përgjegjëse e Sinjalizimit njofton menjëherë prokurorinë ose Policinë e Shtetit. sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, në zbatim të nenit 6 të ligjit nr.60/2016. Në dosjen e sinjalizimit shënohen vendimi për përfundimin e hetimit administrativ nga Përgjegjësi Njësisë Përgjegjëse të Sinjalizimit, i arsyetuar për të gjitha shkaqet që kanë çuar në vendimmarrjen përkatëse, si dhe masat e marra në lidhje me sinjalizimin. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit, përveçse kur nga rrethanat kërkohet një afat më i gjatë.