Ftesë e hapur

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për organizimin e aktivitetit “Valorizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonave turistike përmes aktiviteteve promovuese”.

Përshkrimi i projektit:

Në kuadër të projektit “Valorizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë së zonave malore, përmes aktiviteteve promovuese”, propozohet organizimi i një aktiviteti në Theth, me fokus promovimin e vlerave natyrore, kulturore dhe turistike të zonës së Alpeve, si dhe përgatitjen e aktorëve lokalë për sezonin e ardhshëm turistik. Duke qenë se aktiviteti zhvillohet në përfundim të sezonit, ai do të fokusohet në informimin, trajnimin dhe rrjetëzimin e stafit të bujtinave, operatorëve turistikë dhe ofruesve të shërbimeve lokale. Përmes sesioneve informuese dhe trajnimeve praktike do të trajtohen tema si mikpritja, komunikimi me vizitorët, promovimi digjital, prezantimi i trashëgimisë lokale dhe krijimi i eksperiencave turistike të lidhura me natyrën, kulturën, gastronominë dhe traditat e zonës.
Aktiviteti do të krijojë gjithashtu një hapësirë për bashkëpunim ndërmjet bujtinave, guidave, operatorëve turistikë, restoranteve dhe aktorëve të tjerë lokalë, me synim përmirësimin e ofertës turistike dhe promovimin e përbashkët të Thethit dhe zonave të tjera të Alpeve.
Nëpërmjet këtij aktiviteti synohet që fundi i sezonit të shërbejë si një fazë përgatitore për sezonin e ardhshëm, duke rritur kapacitetet e aktorëve lokalë, duke evidentuar potencialet e trashëgimisë së zonës dhe duke gjeneruar ide konkrete për aktivitete dhe produkte të reja turistike.

Qëllimi i projektit:

Një destinacion më i mirëorganizuar dhe më i përgatitur për sezonin e ardhshëm, me aktorë lokalë më të informuar dhe me një qasje më të koordinuar ndaj promovimit dhe valorizimit të trashëgimisë së Thethit dhe Alpeve.

Aplikimi:

  1. Të drejtën për të aplikuar e kanë:
    a) Çdo person fizik/juridik i regjistruar dhe që ushtron veprimtari artistiko-kulturore;
  2. Aplikimi për organizimin e këtij projekti duhet të paraqitet në formën sipas formularit tip, bashkëngjitur kësaj ftese.
  3. Subjekti aplikues nuk duhet të ketë detyrime të papaguara vendore, detyrime të ngarkuara nga organet kompetente audituese apo detyrime të ngarkuara nga organe të tjera në favor të Bashkisë Shkodër. Mospërmbushja e këtij kriteri është shkak skualifikimi.

Nuk mund të aplikojnë:

Personat juridik publik që përfaqësojnë institucionet dhe ndermarrjet shtetërore, qendrore ose vendore, që vetfinancohen ose financohen nga buxheti i shtetit ose nga ente të tjera publike të miratuara me ligj.

Koha e zhvillimit dhe shpalljes së fituesit:

Shpallja e Ftesës së Hapur bëhet më datë: 01/10/2026
Data e fundit e aplikimeve: 15/10/2026
Këshilli Artistiko-Kulturor i Bashkisë Shkodër do të mblidhet me datën: 19/10/2026
Shpallja e fituesit do të bëhet deri me datë: 19/10/2026
Fituesi do të njoftohet publikisht nga Bashkia Shkodër.

Dorëzimi i dokumentacionit:

Aplikuesit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentet e tjera të kërkuara tek Sekretari/Protokolli pranë Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të përcaktuara në formularin tip bashkëngjitur kësaj ftese dhe në rrugë elektronike në adresën turizmi@bashkiashkoder.gov.al

Fondi limit është 700.000 lek.

Kriteret e kërkuara:

  1. Operatori që merr përsipër realizimin e aktivitetit, duhet të ketë eksperiencë të njohur në zhvillimin e aktiviteteve të këtij lloji.
  2. Operatori duhet të ketë në CV – në e tij arritje dhe suksese të vërtetueshme në aktivitete të tilla

Kritere të tjera:

  1. Aktivitet 2-ditor në Theth, me agjendë të detajuar dhe kombinim trajnimesh, workshopesh dhe aktivitetesh praktike.
  2. Minimalisht 30 pjesëmarrës, kryesisht staf/menaxherë bujtinash, operatorë turistikë, guida, restorante dhe aktorë lokalë.
  3. 2–3 ekspertë/trajnerë dhe një mentor/moderator, me eksperiencë në turizëm, mikpritje, marketing, promovim dhe trashëgimi.
  4. Të zhvillohen të paktën 4 sesione praktike trajnimi mbi mikpritjen, komunikimin me turistët, promovimin digjital dhe valorizimin e trashëgimisë.
  5. Promovimi i atraksioneve turistike përmes organizimit të tureve të ndryshme, duke përfshirë një ecje interpretuese në natyrë, të drejtuar nga guidë lokale, me ndalesa për biodiversitetin, trashëgiminë natyrore, mbrojtjen e mjedisit dhe mesazhe për turizëm të qëndrueshëm.
  6. “Shijet e Thethit” – kënd gastronomik/panair lokal, me degustim të produkteve lokale si djathë, mjaltë, kos dhe bimë malore, prezantim nga prodhuesit dhe tregim të historive e traditave që lidhen me prodhimin.
  7. Të organizohet një workshop për zhvillimin e eksperiencave turistike, ku pjesëmarrësit të krijojnë ide konkrete për ture, itinerare, aktivitete natyrore, kulturore dhe gastronomike që mund të ofrohen sezonin e ardhshëm.
  8. Të realizohet dokumentim profesional foto/video i tureve, produkteve lokale, trashëgimisë dhe aktivitetit, për përdorim në promovimin e Thethit dhe Alpeve.
  9. Subjekti duhet të realizojë promovimin në kohë të aktivitetit, përmes banerave, mediave sociale, reklamave televizive etj. në koordinim me Drejtorinë e Turizmit, ku qartazi duhet të shfaqet logoja zyrtare e Bashkisë Shkodër.
  10. Subjekti duhet të koordinojë punën gjatë gjithë kohës parapërgatitore me Drejtorinë e Turizmit.

Formular aplikimi.