Vizito dhe eksploro Shkodrën
Kështjella e Shkodrës
Njihet në histori me emrin “ROZAFA”. Ndodhet në hyrjen jugore të qytetit, në një pozicion strategjik, rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini dhe Kiri. Muret rrethuese janë 880m të gjatë që rrethojnë një sipërfaqe prej 35000m2. Është kalaja më e madhe në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në Ballkan.
Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet më të hershme të pellgut të Shkodrës, datuar 4000 vjet më parë.Vizitorët mund të njihen me objekte e monumente të shumta, që i perkasin periudhave të ndryshme historike. Emri i kalasë lidhet me një legjendë të ngritjes së saj, murosjen e një gruaje me emrin Rozafa, simbol i qëndresës, flijimit dhe heroizmit të popullit shkodran. (Shkodra, A.Parruca)
Formën që ka sot kalaja e Shkodrës, e ka marrë gjatë sundimit të Balshajve(shek XIV). Në këtë kështjellë takojmë gjurmët e periudhës klasike, të mesjetës e deri të shekullit të kaluar. Muret mesjetare të ndertuar me llaç, ngrihen mbi muret ilire dhe ndjekin linjën e çrregullt të terrenit. Brenda mureve të kalasë ndodhen dy mure të lartë, që e ndajnë siperfaqen e saj në tre oborre. Porta kryesore është e vendosur në anën ku pjerresia e kodrës është më e vogël, pas saj gjendet një galeri e gjatë dhe e gjerë e cila në të dy anët e saj ka katër hapësira që për kohën shërbenin si mbrojtëse.Pasi kalon në këtë galeri gjendesh përballë një porte tjetër dhe futesh në oborrin e parë ku ndodhen një seri objektesh të fortifikuara. Oborri i dytë, zë një siperfaqe më të madhe dhe ndodhet në pjesen qendrore të kalasë. Oborri i tretë luante rolin e kështjellës ku mblidhej garnizioni ushtarak. Këto oborre komunikojne mes tyre me porta të vogla. Për të dalë nga kalaja kanë ekzistuar disa dalje të fshehta të cilat tashmë nuk funksionojnë.
Kjo kala, për nga vetë rëndesia e saj, meriton vemendjen e institucioneve përkatëse për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe historike që trashëgon brez pas brezi. Në fortifikimet dhe objektet e tjera ndërtimore ruhen edhe sot gjurmë antike, mesjetare e deri në ato të periudhës së Bushatlinjve. Në objektet e vizitueshme përveç sistemit fortifikues përmendim : Kishën e Shën Stefanit e kthyer më pas në xhami, Kapitanerinë, Burgun, Saranxhat dhe daljet sekrete. Nga muret e saj mund të soditen pamjet madhështore e piktoreske të liqenit të Shkodrës, lumejve Drin, Buna e Kir.
Ura e Bunës
Ura e Bunës së bashku me Urën e Bahçallekut kanë qenë lidhjet tokësore të qytetit të Shkodrës me vise të tjera të Shqipërisë.
Ura e Bunës është një vepër osmane e ndërtuar gjatë vitit 1499-1500. Ajo ka qenë e ndërtuar me kembë druri. Në vitin 1899 kjo urë është rindërtuar nga guvernatori osman në Shkodër në atë kohë. Me rastin e inagurimit ka qenë ngritur një përmendore në skaj të ballit të urës. Ky gur në formë piramide ruhet në Muzeun e qytetit.(Shkodra dhe motet, H.Bushati)
Ura e Bahçallekut
Ura e Bahçallekut është ndërtim i pushtuesve osmane, nuk dihet me saktësi koha e ndëtimit të saj. Në epokën e pushtimit osman, ura e Bahçallekut shitej në ankand për një taksë që merrej për kalim. Kjo taksë praktikohej për të përballuar shpenzimet e riparimeve e të rindertimit të urës në raste të nevojshme. Natën nuk mund të kalohej në këtëe urë, me përjashtim tëe ndonjë rasti urgjent.
Sistemimi i urës është bërë pas largimit te sundimit osman nga Shqipëeria. (Shkodra dhe motet, H.Bushati)
Kulla e Sahatit e shek XIX
Kulla e Sahatit e njohur në histori si Sahati i Inglizit i përket periudhës së aristokracisë mesjetare. Ajo është e vetmja ndërtesë që ekziston akoma nga periudha e antikitetit të Shkodrës. Kulla e sahatit, bashkë me shtëpinë ngjitur u ndërtuan me fondet e lordit anglez Paget, i cili kishte qëllim kryesor përhapjen e fesë protestane dhe themelimin e koshës anglikane në Shqipëri me qendër në Shkodër.Veprimtaria e lordit nuk pati sukses dhe kur pa se i dështoi misioni i tij fetar, në vend të kumbonës së përparme për kullën, ai solli një sahat të madh me tre fusha për t’u dalluar nga larg. Në orët e caktuara degjohej krisma e tij tingëlluese. Shtëpia e feudalit përbëhej nga 15-16 dhoma.Oborri i shtëpisë mbyllej me një portë të madhe dërrasash, dy kapakësh, të gdhendur me ornamente dhe me stemen e Anglisë. Kjo kullë sot përdoret si pikë vrojtimi sepse nga lartësia e saj shihet i gjithë qyteti. (Shkodra dhe motet, H.Bushati)