Kërko
Shpallje/Njoftime

Ftesë e hapur - Festivali i këngës qytetare " Luleborë"

30.03.2023

Bashkia Shkodër shpall ftesë të hapur për pjesëmarrje në FESTIVALIN E KËNGËS “LULEBORË”, për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar.

Përshkrimi i projektit:

Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të këngës qytetare shkodrane, Bashkia Shkodër organizon edicionin e 8-të të Festivalit të Këngës Qytetare “Luleborë”.
Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, duke i dhënë një dimension të ri asaj; duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të çdo elementi të këtij festivali. Për rrjedhojë, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët, duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga organizatorët. Të gjitha materialet muzikore do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga profesionistë të fushës, i cili do të zgjedhë këngët pjesëmarrëse në festival.
Festivali “Luleborë” do të zhvillohet në muajin tetor 2023.
Juria e netëve të Festivalit do të jetë në nivelet më të larta profesionale, e përbërë nga emrat më të njohur të krijimit dhe interpretimit.

Qëllimi i projektit:

• Pasurimi i repertorit të krijimtarisë së re të këngës shqiptare;
• Afrimi dhe aktivizimi i brezave të rinj me krijimtarinë e re;
• Aplikimi i muzikës në forma të reja, duke ruajtur traditën dhe origjinalitetin kombëtar.

Aplikimi:

Ftohen të gjithë kompozitorët e rinj dhe profesionistë të sjellin materialet muzikore në Bashkinë Shkodër, pranë zyrës së Protokoll/Arkivës, drejtuar Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Adresa: Rr. 13 dhjetori, nr.1, Shkodër.

DO TË PRANOHEN VETËM SUPORTET DIXHITALE.

Kriteret e pranimit:

1. Autorët duhet të jenë në moshë madhore (mbi 18 vjeç)
2. Kënga duhet të jetë e kënduar në gjuhën shqipe;
3. Artisti interpretues duhet të jetë mbi 18 vjeç;
4. Baza muzikore e këngës duhet të jetë e regjistruar në suport dixhital;
5. Kënga duhet të jetë e përfunduar në të gjithë elementët e saj përbërës;
6. Kënga duhet të jetë e shoqëruar me tekstin e saj të shkruar (format word, pdf);
7. Teksi i këngës nuk duhet të përmbajë mesazhe që nxisin dhunë, diskriminim, urrejtje racore, fetare, ose që bëjnë thirrje për thyerje të rendit dhe përmbysje të rendit kushtetues;
8. Dosja e këngës duhet të jetë e pajisur me titull, tekst, partiturë, orkestracion bazë (në format dixhital në programet Finale ose Sibelius)
9. Artisti interpetues, kompozitori dhe autori i tekstit, duhet të jenë me kombësi shqiptare;
10. Një artist interpretues merr pjesë në konkurim me vetëm një këngë;
11. Një kompozitor merr pjesë në konkurim me vetëm një këngë;
12. Një autor teksti merr pjesë në konkurim me vetëm një këngë;
13. Kompozimi muzikor i këngës dhe teksti i saj, duhet të jenë krijim intelektual origjinal në të gjithë përmbajtjen e tyre;
14. Nëse gjatë përzgjedhjes, apo gjatë përgatitjes të festivalit, konstatohet që në përmbajtjen e muzikës apo tekstit të këngës konkuruese për pjesëmarrje ka pjesë të ndonjë krijimi tjetër, që cënon të drejtat e autorit të një pale të tretë, komisioni përzgjedhës dhe drejtori i festivalit, kanë të drejtë përmes vendimit, të përjashtojë në mënyrë të menjëhershme këngën nga konkurimi;
15. Nëse gjatë netëve të zhvillimit të festivalit konstatohet prania e një krijimi që cënon të drejtat e autorit të një pale të tretë (në muzikë apo në tekst), juria e festivalit i propozon drejtorit të festivalit përjashtimin e këngës nga e drejta e konkurimit. Drejtori i festivalit ka të drejtë të vendosë përjashtimin e këngës nga konkurimi si dhe të iniciojë fillimin e procedurave administrative dhe ligjore kundër atij krijimi (kompozim dhe tekst);
16. Kriter kryesor është që këngët (muzikë dhe tekst) duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre nga autorët, në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të Festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival.

Kënga mund të ketë:

• Intonacione muzikore të këngës qytetare shkodrane, me tekst në dialektin Gegë, ose në gjuhën standarte;
• Intonacione dhe ritme muzikore të lira me tekst në dialektin gegë;
• Janë të pranueshme këngët me poliritmika apo me gjuhë harmonike sipas dëshirës së krijuesit;
• Janë të mirëpritura këngët me gjuhë muzikore të artikuluar.

Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.

  Afati i pranimit të këngëve:

- Data e fundit e aplikimeve, është 7 korrik 2023.
- Deri në datën 21 korrik 2023, bëhet shpallja e këngëve pjesëmarrëse në Festival, në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër
- Mosrespektimi i afatit të përcaktuar, është automatikisht përjashtues nga konkurimi.
- Materialet muzikore do të kalojnë në fazën e parë të seleksionimit, ku një grup i përbërë nga profesionistë të sektorit të produksionit muzikor, do të marrin në shqyrtim këngët nga një këndvështrim i përgjithshëm. Ky proçes përfundon me seleksionimin e këngëve që do të marrin pjesë në Festivalin “Luleborë”.

Performimi muzikor do të mbahet nën interpretimin “live” të Orkestrës Simfonike të Shkodrës, e cila përbën edhe themelin e suksesit të Festivalit “Luleborë”.

 

Mundësi Punësimi
Asnjë rezultat i gjetur!
 
Sherbime dhe kontakte
Adresa

Rruga 13 Dhjetori, Nr. 1, Shkodër, Shqipëri

e-mail: info@bashkiashkoder.gov.al

Copyright 2021 - © Bashkia e Shkodrës